Është e paimagjinueshme ajo që ndodh në Tiranë. Klika fashiste e instaluar ditën për diell, në vendin më të varfër të Evropës nuk pyet më për asgjë dhe për askënd. Ata sfidojnë hapur ligjin, drejtësinë, shtetin dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, dalin hapur të zhytur në luksin e tyre të pajustifikuar, të buzëqeshur dhe me gota shampanjë në dorë. Lajkatarët, të frustuar, pozojnë me fustane të marra borxh dhe përflasin nëpër kafenetë e Bllokut: E kush mundet t’i dalë përpara Elona Çaushit? Ja e shikoni çfarë bëri? Asaj nuk ia ndjen!
A kanë të drejtë vallë? Nëse po, deri kur?
Sikur të ishim një vend normal, me një qeveri normale, me drejtësi funksionale, një vend ku zbatohet ligji dhe qytetarët respektohen, Elona Çaushi dhe bashkëshorti i saj, Gjin Gjoni, do të ishin duke dhënë llogari përpara drejtësisë. Me shumë mundësi do të ishin edhe pas hekurave. E para, Elona, sepse mban peng Aeroportin e Rinasit dhe i bën, ditën për diell, dëmin më të madh që mund ti bëhet Shqipërise: tremb investitorët e huaj. Elona Çaushi do të duhej të ishte duke dhënë llogari se si e mori liçencën e ushtrimit të aktivitetit të saj tregtar në hapësirat Duty Free në Aeroportin e vetëm ndërkombëtar në Shqipëri, nga Ministria e Financave, në një kohë kur e kishte humbur tenderin e zhvilluar nga kompania koncensionare e aeroportit, që do ti jepte të drejtë ta ushtronte ende këtë aktivitet. Elona Çaushi do të duhej të ishte duke dhënë llogari, bashkë me dy gjyqtarë të sistemit të drejtësisë shqiptare për ato gjyqet e fituara e që çuditërisht, kundër çdo ligji e logjike ligjore, i japin të drejtë zonjës në fjalë të vazhdojë aktivitetin tregtar në Rinas, edhe pse humbëse në tender! Ndërsa i dyti, pra burri famëkeq i drejtësisë shqiptare, Gjin Gjoni duhet të ishte fiks pas hekurave. Nuk ka kaluar shumë kohë që nga llogaridhënia e tij për pasurinë e vënë, një pasuri miliona eurosh, justifikimin e të cilave, Gjini i gjykatës nuk e bënte dot, megjithë marifetet e përdorura duke ia marrë gruas e dhënë llogarisë së vet, dhe anasjelltas. Por ja që jetojmë në Shqipëri! Dhe në Shqipëri asgjë nuk është e pamundur. Elona dhe Gjini jo vetëm që nuk po japin llogari në këto momente, por përkundrazi. Po hargalisen në mes të Tiranës, duke sfiduar këdo e mbi të gjitha atë sistem drejtësie për të cilin flasin e flasin të gjithë nga mëngjesi në darkë vonë.
Elona dhe Gjini e sfiduan hapur të enjten mbrëma edhe shtetin, edhe ligjin, edhe drejtësinë. Pikërisht në kulmin e skandaleve të provokuara nga Elona Çaushi, pasi fitoi, në shkelje flagrante të ligjit, gjyqin e radhës, sipas vendimit të të cilit, zonja në fjalë dhe kompania e saj ADFD, mund ta vazhdonte administrimin e TIA Aeroport “deri në zgjidhje me themel të çështjes”, madam Gjoni është shfaqur në Tiranë në një event të organizuar nga një tjetër kompani e saj, e zhytur në luks dhe “krenare”. “Prestige Group” e Elona Çaushit solli në Shqipëri parfumin Mon Guerlain, duke i shtuar një tjetër aksesor luksi dyqaneve ku shet e blen vetëm vetë dhe ca mikesha të ngushta, gra politikanësh dhe oligarkësh të njohur.
Ngjarje e madhe apo jo! Tiranës pabukse i mungonte parfum Guerlain! Dhe ja, e solli Elona Çaushi o njerëz. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, e rrethuar nga lajkatarët e zakonshëm, të veshur me fustane borxh e jargë lëshuar, Elona dhe Gjini u shfaqën në publik, të pacipë, sfidues duke shitur por*ën e radhës. Bënë gëzuar me shampanjë dhe nën aromën e parfumit, zilepsën hallexhinjtë pjesëmarrës, të cilët tanimë janë të sigurtë: Elonës dhe Gjinit nuk u bën dot asgjë, askush!
Paligjshmëria është kthyer në ligj në këtë vend!
Shtete brenda shtetit lulëzojnë dhe askush nuk bën asgjë, nuk lëviz as gishtin e vogël. Prandaj dhe Gjinët dhe Elonat sfidojnë hapur, zhytur në luksin e tyre të përditshëm. Dhe shesin…parfum.
Por a mundet aroma e parfumit, qoftë ai edhe Guerlain, ta mbysë erën e moçalit që mban kjo klikë? Edhe sa kohë do mbijetojnë Elonat dhe Gjinët që po i marrin frymën këtij vendi? A reflekton të vërtetën fotoja e çiftit famëkeq që qarkullon në rrjet që të enjten? Pini shampanjë zotërinj, pijeni deri në pikën e fundit! Mund të mos ketë një gotë tjetër pas kësaj…/Pamfleti