Sindikata e pavarur e arsimit ka renditur një sërë kërkesash drejtuar autoriteteve shtetërore për përballimin e situatës nga ana e mësuesve, të cilët vijojnë punën. Ata kërkojnë internet falas për të gjithë mësuesit dhe nxënësit që zhvillojnë mësim online, ndërsa theksojnë se drejtuesit e shkollave duhet të ndalojnë presionet ndaj mësuesve për kërkesa absurde.
Sindikata e pavarur e arsimit ka dalë me një letër drejtuar institucioneve në vend për lehtësimin e procesit mësimor gjatë ditëve të izolimit. Fillimisht, ata kërkojnë internet falas për mësuesit dhe nxënësit që zhvillojnë mësim online, teksa theksojnë se ky shërbim duhet ofruar për të gjitha lëndët.
“MASR të organizojë mësim me orar të përcaktuar në të gjitha kanalet e TVSH, çdo ditë për të gjitha lëndët dhe klasat, në mënyrë që të mund të ndiqet nga çdo fëmijë shqiptar.
Të sigurohet internet falas, për të gjithë mësuesit dhe nxënësit, gjatë gjithë situatës së emergjencës.”
Një kërkesë që bie në sy, ka të bëjë me presionet që drejtuesit ushtrojnë ndaj mësuesve.
“Të ndërpriten presionet e drejtorëve të papërgjegjshëm ndaj mësuesve, me kërkesa absurde dhe të motivohen ata në këtë situatë te vështirë që po kalojmë”.
Në letër, kërkohet që fotot, videot apo të dhënat e nxënësve, të mos publikohen pa miratimin e prindërve, pasi shpesh herë mund të bien pre e abuzimeve.