Sipërmarrjet në të gjithë sektorët e ekonomisë nga java e ardhshme mund të aplikojnë pranë bankave të nivelit të dytë për të përfituar nga garancia sovrane e dytë e shpallur nga qeveria në situatën e krijuar nga pandemia COVID-19. Ky instrument që është në dispozicion për sipërmarrësit në të gjithë sektorët e ekonomisë, synon të jetë burim për kreditimin e kompanive për kapital qarkullues dhe investime, ofron mundësi financimi me një afat shlyerjeje deri në 5 vjet, si dhe ofron hapësirën për të mos paguar principalin për një periudhë jo më pak se 6 muaj.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se garancia sovrane II, në vlerë 15 miliardë lekë, ofron mundësi financimi për të gjitha sipërmarrjet e ndikuara në aktivitet nga situata e pandemisë dhe me një historik pozitiv të marrëdhënies kreditore. “Qeveria garanton 60% të principalit të çdo huaje, që bankat do të lëvrojnë për biznesin, sipas eksperiencave më të mira ndërkombëtare”, tha ajo. Ajo ftoi të gjitha bizneset, të mobilizojnë fondet e nevojshme për kapërcimin e efekteve të pandemisë dhe për të hedhur hapat drejt rimëkëmbjes së aktivitetit dhe ekonomisë.
