Kamerat e Fax News janë ngjitur në Malin e Dukatit gjatë orëve të natës, aty ku riaktivizimi i një vatre ka bërë që banorët të ndihen të kërcënuar nga zjarri edhe njëherë tjetër.
Për kamerat e Fax News kanë folur dhe banorët aty pranë flakëve të cilët janë tepër të shqetësuar. Ata thonë se shteti nuk pyet për ta dhe se janë me fat që zjarri nuk ka filluar gjatë natës, për shkak se nuk dihet çfarë do t’i ndodhte.
“Siç e sheh atë ditën e bardhe, ai është burri im. Edhe fëmijët aty janë. Kemi frikë shumë. Kam dy fëmijë po më flenë në makinë.Shyqyr që nuk ishte natën se ku i dihet ça do na ndodhte. Po ku pyet shteti për ne. janë njerëzit që po e fikin“, tregojnë ato.
Mëngjesin e kësaj të diele zjarri vijon të djegë Malin e Dukatit. Tymi ka mbuluar zonën dhe zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë me flakët. Mësohet se era ka favorizuar përhapjen me shpejtësi të flakëve, për shuarjen e të cilave këtë mëngjes është futur në punë dhe helikopteri.
Rikujtojmë se vatra e zjarrit në Dukat ishte shuar, por ditën e djeshme ajo u riaktivizua sërish, me autoritetet përgjegjëse që dyshojnë fort se riaktivizimi ka qenë i qëllimshëm
