Zv.ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Dajna Sorensen thotë se raporti i Instat, konfirmoi se performanca e tregut të punës është në trend rritje shumë pozitiv, ku papunësia për herë të parë ka shkuar në nivelin më të ulët historik 11,5% krahasuar me 2014.
Sipas saj, shifrat pozitive të rritjes së punësimit tregojnë se ekonomia jonë dhe biznesi po gjenerojnë punësim për të gjitha shtresat përfshirë këtu të rinjtë që janë një kategori e vështirë për tu integruar në tregun e punës. Sorensen u shpreh se aktualisht 68,9% e shqiptarëve janë të angazhuar në punë dhe kërkesa e biznesit për punësimin e profesionistëve janë në rritje.
“Gjysma e vendeve të punës që kërkohen nga biznesi janë të lirë, pasi kërkohen kualifikime të larta. Një industri që mund të punësonte pa fund është ajo e “IT”-së, ka kërkesa shumë të larta për programues”. Në tremujorin e fundit të këtij viti, pjesëmarrja e forcave të punës është rritur me 20 mijë qytetarë, ndërsa krahasuar me 2018, pjesëmarrja në forcat e punës u rrit me 34 mijë persona.
Ajo tha se shifrat e punësimit reflektojnë edhe efektin sezonal. Sipas saj, Vlora ka numrin më të lartë të punësuarve gjatë sezonit veror, po kështu edhe qytetet e tjera bregdetare.