Spanja ka raportuar një numër të lartë të rasteve me koronavirus. Duke qënë se gjendja është e rënduar, Parlamenti Spanjoll ka votuar për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme për herë të tretë deri më 9 maj.
Parlamenti Spanjoll miratoi kërkesën e qeverisë për zgjatjen e masave të bllokimit deri më 9 maj, një kërkesë e kaluar me 269 vota pro, 60 kundër dhe 16 abstenime. Gjendja e jashtëzakonshme u dekretua më 14 mars, e cila urdhëroi kufizime të rrepta në lëvizje dhe biznes.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, argumentoi se kjo zgjatje është e ndryshme nga të tjerat. Sipas tij, me rëndësi është që të përshkallëzohen rregullat e izolimit. “Është një masë që do të përshkallëzojë rregullat e izolimit”, tha Sanchez. Po kështu ai paralajmëroi deputetët, se faza tjetër e kthimit në normalitet “duhet të jetë e ngadaltë dhe graduale”. Kryeministri përmendi gjithashtu se qeveria e tij po “implementon një sistem kontrolli” për njerëzit që udhëtojnë nga brenda ose jashtë Spanjës, “për të shmangur më shumë infeksione të importuara”.
Nga 26 prilli, të miturit do të lejohen të dalin nga shtëpia të shoqëruar nga një i rritur. Spanja është i vetmi vend europian që nuk ka lejuar të miturit të largohen nga shtëpia deri më tani. “Nga e diela e ardhshme, të miturit nën 14 vjeç do të lejohen të dalin nga shtëpia të shoqëruar nga një i rritur”, ka deklaruar kryeministri.