Dejvi Bregu priti javën e 13-të për të shënuar golin e tij të parë në ligën e parë turke me fanellën e Boluspor, por pikërisht në ndeshjen që u zhbllokua ish-sulmuesi i Skënderbeut dhe Teutës, realizoi një dopietë. Megjithatë, dy golat e Bregut nuk i mjaftuan Bolusporit që në transfertën ndaj Erzurum BB u mposht me shifrat 3-2. Titullarë ishin të tre futbollistët shqiptarë që janë pjesë e Boluspoitr me Selmanin që qëndronte mes shtyllave dhe Roshin e Bregut në krahët e sulmit
Në krahun tjetër mesfushori i përfaqësueses së Kosovës Herolind Shala u hodh në fushë vetëm në çastet e fundit. Në minutën e 67-të kur rezultati ishte 2-0 në favor të ish-skuadrës së Armando Sadikut pas golave të Novikovas dhe Tozlu, në katedër u ngjit Dejvi Bregu që realizoi një gol të bukur duke rihapur sfidën. Gjithsesi, vendasit e Erzurum gjetën sërish epërsinë e dyfishtë në minutën e 89-të me Hasek përpara se Bregu në shtesë të kthente në gol edhe një 11-metërsh për rrjetën e dytë personale dhe për t’i çuar shifrat e kësaj sfide në 3-2.
Dejvi Bregu, i cili ishte lideri i Teutës në sezonin e shkuar kur i udhëhoqi drejt titullit kampion me 16 golat e tij të cilët e shpallën dhe kryegolashënues të Kategorisë Superiore, në këtë sezon i pari për të jashtë kampionatit shqiptar ka arritur të shndërrohet në një titullar fiks te Boluspor teksa është aktivizuar në të gjitha ndeshjet dhe numëron 2 gola e 2 asiste.