Euro 2020 tashmë ka mbërritur në fianlen e madhe. Italia dhe Anglia do të luajnë për titullin dhe trofeun që axurrët e kërkojnë për herë të dytë në histori dhe tre luanët për herë të parë. Një përballje që starton mbrëmjen e sotme që nga ora 21:00, për të mbyllur kështu një kampionat të mrekullueshëm por edhe shumë të veçantë.
Në gjysmëfinale skuadra e Mancinit kaloi pasi mposhti Spanjën me penallti, ku ishte më efektive në gjuajtjen e tyre, duke humbur vetëm një goditje dhe duke përfituar nga dy gabimet të La Rojas. Ndërsa ekipi i Gareth Southgate kapërceu Danimarkën në kohën shtesë me një penallti mjaft të ‘diskutueshme’ nga shumë njohës të futbollit.
Anglia do të luajë në Uembley për titullin e tyre të parë në Kampionatin Europian për të bërë historinë, pasi deri tani ka vetëm një trofe, atë të Kupës së Botës të vitit 1966, ndërsa Italia për të rikthyer në Romë trofeun pas 53 vitesh mungesë.
Të fundit e ka fituar në vitin e largët 1968. Italia mund të bëhet kështu e katërta që e fiton më shumë se një herë trofeun së bashku me Gjermaninë, Spanjën dhe Francën ndërkohë që Anglia do ta shtonte emrin te libri i artë.
Në përgjithësi këto dy skuadra janë takuar 27 herë, Italia ka dhjetë fitore, Anglia tetë, ndërsa nëntë ndeshje kanë përfunduar barazim. Italianët në këto përballje kanë shënuar 31 gola, ndërsa anglezët dy më shumë.
Formacionet e mundshme:
ITALIA: Donnarumma; Di Lorenzo, Bonucci, Chiellini, Emerson; Jorginho, Barella, Verratti; Chiesa, Immobile, Insigne
ANGLIA: Pickford; Walker, Stones, Maguire, Shaë; Rice, Phillips; Saka, Mount, Sterling; Kane
ORARI, TRANSMETIMI DHE STADIUMI – Finalja luhet prej orës 21:00, në mitikun “Wembley” në Londër. Ky duel në vendin tonë transmetohet nga RTSH dhe Supersport, që kanë blerë të drejtat nga UEFA. Në stadium do të jenë 60 mijë tifozë në total, shumica mbështetës të vendasve.
PARATË – Europianët janë burim i rëndësishëm të ardhurash për federatat e futbollit dhe normalisht ekipi fitues është ai që arkëton më shumë. Nga përllogaritjet triumfuesi merri deri në 34 milion euro.
Vetëm për fitimin e finales UEFA jep 10 milion euro, ndërsa finalistja tjetër mjaftohet me 3 milion euro. Prania në finale më parë u ka dhënë atyre nga 5 milion euro, sikurse edhe 9.25 milion euro për pjesëmarrjen në EURO 2020.