Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se programi ekonomik i paraqitur nga Partia Demokratike për të qeverisur në rast se fiton zgjedhjet e 25 prillit, është në filozofi i djathtë, klientelist, ndërsa kalkulimet janë jo të sakta.
“Them në filozofi i djathtë dhe PD është në të drejtën e saj të ketë këtë filozofi, por nuk mund ta shesë me populizmin e masës, pasi në thelb ka taksën e sheshtë përkundrejt taksës progresive”, tha Denaj. Denaj solli një shembull konkret. Sipas saj, një jurist me pagë 54 mijë lekë fiton 960 lekë nga taksimi i sheshtë që ofron PD, ndërsa një drejtor ekzekutiv me pagë 400 mijë lekë fiton 24 mijë lekë.
“Filozofia jonë e taksimit progresiv me të cilën edhe erdhëm në pushtet, është që kush fiton më pak paguan më pak, ndërsa kush fiton më shumë paguan më shumë”, tha Denaj. Po ashtu, bëri të ditur Denaj nga taksa e sheshtë prej 9% që propozon PD, përfitojnë vetëm 9% e biznesit në vend, ndërsa sot janë 97% e biznesit që e ka zero tatimin mbi fitimin.
Ministrja Denaj bëri të ditur se nga kalkulimet e bëra për të materializuar programin ekonomik të PD-së për periudhën 2022-2025 duhen 4.26 miliardë dollarë. Lidhur me premtimin për dyfishimin e të ardhurave për frymë, ministrja Denaj tha se “për të arritur këtë objektiv PD-së i duhet një rritje ekonomike prej 9.2% në 8 vite, ose dy mandate qeverisëse dhe 18.9% për ta materializuar në një mandat qeverisës”.
