Rreth 770 mijë drejtues mjetesh në Shqipëri tashmë mund të paguajnë taksat e makinave online. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) informon qytetarët se pagesa e taksës së mjeteve realizohet tashmë 100% online përmes platformës e-Albania. Pagesa mund të kryhet me anë të çdo karte bankare, në mënyrë të thjeshtë dhe pa praninë fizike.
Ofrimi i këtij shërbimi online përkthehet në kursim kohe dhe parash për drejtuesit e mjeteve. Mënyra e pagesës për qytetarët është shumë e thjeshtë dhe nuk nevojitet dokumentacion shoqërues. Qytetarët identifikohen si individë ose biznese në portalin e-Albania dhe më pas zgjedhin shërbimin “Pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdoruara apo mjeteve të luksit”. Duke klikuar butonin “Përdor”, shfaqen automjetet që disponojnë dhe përzgjidhet mjeti për të cilin dëshirohet të shihen taksat përkatëse.
Ky shërbim digjital përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve publike dhe lehtësimit të proceseve për qytetarët, duke ofruar një procedurë të shpejtë, të sigurt dhe të aksesueshme nga telefoni apo kompjuteri.
Falë këtij shërbimi, rreth 770 mijë zotërues mjetesh përfitojnë lehtësira të matshme, të përkthyera në rreth 283 milionë lekë kursime, ditë pune të fituara, si dhe shmangie të kohës së pritjes dhe kursim karburanti, me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe mjedisor.
