Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka folur për grevën e urisë që kanë ngritur dy të dënuar në regjimin 41 bis në burgun e Peqitin. Gatë prezantimit të nismës për ndryshimet në Kodin Penal, u shpreh se njëri prej tyre ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën ndërsa thekson se nuk pret që ta pranojnë lehtë regjimin.
Gjonaj shton se do të përfshihen edhe emra të tjerë në regjimin 41bis që respekton të gjitha të drejtat e njeriut. “Zbatimi i 41bis nuk është një proces i lehtë. 2 personat (Genc Balla dhe Arbjon Aliko) që janë futur në grevë urie në Peqin, ku njëri ka dalë prej saj dhe sot tjetri është në spitalin e burgut në gjendje që nuk i paraqitet asnjë rrezik. Nuk presim që subjekte që janë vendosur në këto regjime, ta pranojnë lehtë.
Mendoj se ky është vetëm fillimi pasi në vijim do të ketë edhe subjekte të tjera. Natyrisht në respektim të drejtave dhe lirive të njeriut. Është absolutisht nën vëzhgim të rreptë si nga drejtoria e përgjithshme e burgjeva ashtu edhe nga Ministria e Drejtësisë. Edhe në Itali ku u përdor fillimisht, pati vështirësitë e veta, por hapa pas hapi është bërë risi dhe ka dhënë efekte pozitive për qëllimin që është krijuar”, tha Gjonaj.
Arbjon Aliko dhe Genci Balla zhvilluan grevë urie për shkak të kushteve jo të mira dhe ushqimit. Në fillim në spital u dërgua Genci Balla, i cili është dënuar me 17 vjet burg për rekrutim të ushtarëve për në Siri. Por pas përmirësimit të shëndetit u rikthyer sërish në burgun e Peqinit. Ndërsa, Arbjon Aliko, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha në vitin 2014 në Lazarat, vazhdon të jetë në spital.(A.M/Faxweb.al)
