Rreth 15 mijë objekte janë verifikuar në terren nga grupet e ekspertëve, pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërkohë që 2300 banesa rezultojnë të d♪7mtuara rëndë, ndërsa 292 pallate janë të pabanueshme përkohësisht. Shifrat konsiderohen paraprake pasi janë në përditësim çdo ditë, ndërsa rreth 1 muaj pas tërmetit shkatërrimtar mungon një bilanc për dëmet reale që janë shkaktuar. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, thotë se Qeveria dhe grupet e ekspertëve po punojnë në garë me kohën për të përfunduar sa më parë verifikimi i dëmeve.
“Shumë shpejt do të nisë edhe faza më e rëndësishme, ajo e rindërtimit, në qarqet Durrës, Tiranë e Lezhë. Do bëjmë çmos që, prioritet të kenë familjet me fëmijë të vegjël e që nuk mund të jetojnë në këto kushte. Kuptoj të gjitha vështirësitë dhe ne po punojmë në garë me kohën që rindërtimi i shtëpive të nisë sa më shpejt”, tha ministrja Xhaçka gjatë bashkëbisedimit me banorët e Bubqit dhe Mazhës së Madhe. Pas mbylljes së fazës së dytë, verifikimit të dëmeve, do të nisë puna për rindërtimin masiv të banesave të dëmtuara me angazhimin edhe të firmave të ndërtimit për riparimin e pallateve që ato kanë ndërtuar si dhe ndërtimin e lagjeve të reja dhe banesave ekologjike (në zonat rurale) në Tiranë, Durrës, Thumanë, Kurbin dhe Laç për të strehuar banorët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan plotësisht nga tërmeti.
