Testet e shpejta në Shqipëri pritet të vijnë në fillim të 2021, me ndihmë të OBSH dhe financim të qeverisë. OBSh do të ndihmojë vendin tonë me 200 000 teste të shpejta, deklaroi Drejtori Rajonal për Europën, ndërsa për vaksinën anti covid u shpreh se ajo fillimisht do të aplikohet te grupet e riskut.
Ndërkohë që po trumpetohet më të madhe nga qeveria për kryerjen e testeve të shpejta, sipas drejtorit të OBSH për Europën, ato pritet të vijnë në Shqipëri në fillim të 2021. Drejtori Eajonal për Europën i OBSH Hans Kluge, deklaroi se kjo organizatë do ndihmojë Shqipërinë për ta pajisur me 200 000 teste të shpejta.
Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu shtoi se nuk do të mungojë as financimi nga qeveria për to.
Këtë deklaratë drejtori i OBSH e bëri në një konferencë ku u firmos një marrëveshje 2 vjeçare për forcimin e kapaciteteve per përballimin e pandemive dhe përmirësimin e aksesit shëndetësor.
Shqipëria si pjesë e mekanizmit Covax do të furnizohet me vaksinën anticovid kur ajo të jetë gati dhe e sigurtë, por vaksinimi do të kryhet fillimisht te grupet e riskut. “20% e popullsisë që ka prioritet do të ndahen në tre nëngrupe. 3% do ta marrin menjëherë kur të aprovohet, siç janë stafet mjekësore, pastaj përqindja tjetër janë grupmosha mbi 65 vjeç dhe përqindja tjetër që mbetet janë ata që kanë sëmundje koronare apo sëmundje të tjera që janë të dëmshme dhe futen në grupin e rrezikut. “ Lidhur me numrin e tamponëve, doktor Kluge deklaroi se Shqipëria ka shtuar numrin e tyre, por vetëm testimi nuk është zgjidhja magjike për pandeminë, situata, shtoi ai duhet parë në një kornizë më të plotë.

