Në mbledhjen e tretë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se, “puna e nisur që dy javë pas tërmetit të 26 nëntorit, ka konsistuar në planifikimin, transformimin rrënjësor të rindërtimit të pasojave të tërmetit, me fokus krijimin e një modeli të qëndrueshëm zhvillimi sipas standardeve më të mira”.
Margariti theksoi se, hapat që janë ndërmarrë, kanë qenë në drejtim të identifikimit të dëmeve dhe planifikimit të procesit të rindërtimit që nga punimet e vogla e deri tek ndërtimet e reja.
Gjithashtu, vijoi ajo, grupi i ekspertëve nga të gjitha institucionet e linjës, ka përgatitur dosjet me të gjitha të dhënat specifike për çdo zonë ku do të ndërhyhet, që nga detajet e pronësisë, private apo shtetërore, shkalla e dëmtimit, ndërhyrja e parashikuar e deri tek planet e thelluara urbane apo rurale në varësi të zonës.
Konkretisht, tha ministrja në bashkinë Kurbin kemi identifikuar 5 site ku do të ndërhyhet. Në bashkinë Laç, që është edhe një nga bashkitë me dëmet më të konsiderueshme, janë identifikuar 2 zona për rindërtim. Në zonën 2 parashikohet zhvillimi i një master plani rindërtimi që përfshin edhe objektet publike ndërsa në zonën 1 është përcaktuar që së bashkua me Entin e Banesave Turke, të realizohet ndërtimi i 500 banesave të reja.
Ajo tha se siti për këto zona është detajuar me të gjitha të dhënat e dokumentet përkatëse, ndërsa po vijon puna për identifikimin e pronave shtetërore dhe atyre private për të zbatuar master planin e rindërtimit sipas planit vendor në shërbim të komunitetit dhe ekonomisë së zonës.
Margariti theksoi se, master plani me Entin e Banesave Turke është në proces azhornimi dhe po vijohet me planin jo vetëm për ndërtimin e banesa, por edhe të objekteve administrative me parametra urbane. Kemi bërë disa skenar të ndërtimit për çdo zonë sado e vogël që të jetë.
“Në bashkinë Krujë janë identifikuar 4 zona rindërtimi. Thumana zona më e prekur nga tërmeti, jo vetëm që do t’i nënshtrohet rimëkëmbjes së pallateve të prishura por edhe evidentimit për krijimin e zonës model të zhvillimit rural. Këtu po evidentojmë pronësisë , kategorizimin e dëmtimeve dhe planin e zhvillimit”, tha Margariti, ndërsa theksoi se, e gjithë qendra e qytetet do t’i nënshtrohet zhvillimit me vepra publike. Ndërkohë që fazat e zhvillimit nisin me zonat më të prekura dhe vijojnë me zgjerimin e zonave për t’i qendërzuar ato. Tipologjia e banesave do të jetë e modeleve 1+1, 2+1, e 3+1, model parafabrikat për të vijuar me qendërzimin rural që të jenë të mirë orientuara.
Në Fushë-Krujë janë evidentuar 2 zona rindërtimi. Në Krujë, duke pasur parasysh terrenin e vështirë do të ndërhyhet me proces rindërtimi. Ndërsa në Bubq po hartojmë një plan të mirëfilltë të zhvillimit rural.
Bashkia Vorë ka 3 zona rindërtimi. Këtu shpjegoi Margariti ka më shumë dëmtime në objektet publike pra sipërfaqja ku do të ndërhyhet do të ndërthuret me qendrën e qytetit do të vijojë zbatimi i një master plani të plotë për zhvillimin e qytetit sipas standardeve më të mira, për përmirësimin e cilësisë së jetesës.
“Në Lezhë po punohet. Ndërsa në Shijak janë identifikuar 5 zona ndërhyrje. Studimet përkatësisht këtu parashikojnë zbatimin e master planeve që përfshijnë qendrën e qytetit me të gjitha parametrat urban për të vijuar me ndërtimin e zonave publike të munguara dhe përshtatjen e tyre në dobi të qytetarëve”, tha ajo.
Margariti tha se, në Durrës puna është fokusuar në 2 zona. “Rikualifikimi i zonave boshe që janë krijuar nga shembja e objekteve të dëmtuara prek tre territore: Plazhin, portin dhe zgjerimin e qytetit. Ndërhyrja parashikon faza të ndryshme, jo vetëm tek banesat por zbatimin edhe të 4 programeve zhvillimi sipas modeleve ndërkombëtare. Ndërkohë që Spitalla është një zonë studimore që paraqet potenciale për zhvillim ekonomik. Ekoparku do të shndërrohet në mushkërinë e qytetit ndërsa nuk do të mungojnë shërbimet tregtare. Në Ishëm e Katund i Ri kemi filluar studimin për ndërhyrje pikësore apo në varësi të dëmtimit të parashtrojmë rikuperimin e plotë”- tha ajo.
Ndërsa në Tirane janë 4 zona ku do të rindërtohet. “Në Kombinat përtej pallateve silikate mund të përfshihen në programin rindërtimi edhe objektet e amortizuara. Të gjitha programet e rindërtimit parashikojnë qendra sociale dhe ekonomike që janë një aset i ri që i shtohet Tiranës. Në zonën e 5 Maji do të krijohen pole të ndryshme zhvillim. Vaqarri është një tjetër zonë zhvillimi në shërbim të komunitetit, ku do të ndërtohen kopshte, tregje. Siti i rindërtimin përfshinë të gjitha territoret e dëmtuara. Janë mbledhur dokumentet nga të gjitha institucionet për të pasur një dosje të plotë e të saktë teknike për çdo zonë, me qëllim zbatimin e planeve zhvillimore me standarde”- tha Margariti.
Duke u ndalur tek objektet arsimore, ajo tha se janë 45 shkolla të dëmtuar 13 nga të cilat janë Durrës dhe rindërtimi i tyre është pjesë e planeve të rindërtimit. Rindërtimi është një proces i unifikuar me teknologji parafabrikat, që kap një periudhë 9 mujore, shpjegoi ministrja Margariti. e.xh/ /a.g/atsh
