Ndërsa në rajonin rus Orenburg po zhvillohen manovrat ushtarake Tsentr 2019 me pjesëmarjen e Rusisë, Indisë, Kirgistanit, Kazakistanit, Taxhikistanit, Pakistanit, Uzbekistanit dhe Kinës, shumë nga vendet kufitare me federatën ruse janë vënë në gjendje gadishmërie, pavarësisht garancive të Moskës.
Presidenti Vladimir Putin e ka shtrirë gjeografinë e manovrave ushtarake deri buzë kufirit me Ukrainën, me të cilën ka marrëdhënie tejet të acaruara që pas aneksimit të Krimesë.
Manovrat janë një përzierje e operacioneve themelore të mekanizuara dhe luftës kundër kryengritjes, kryesisht me qëllim forcimin e lidhjeve midis vendeve pjesëmarrëse.
Avantazhi i vërtetë për Moskën është testi i mobilizimit dhe zhvendosjes së trupave, pa harruar që, në diskrecion të madh, disa vende afër zonave ku po zhvillohen manovrat ushtarake, po zhvillojnë ushtrime të gatishmërisë mbrojtëse – operacionale.
Aneksimi i Krimesë
Në fillim të vitit 2014, bota u kap në befasi me ngjarjet e njëpasnjëshme në Ukrainë, që kulmuan me aneksimin e Gadishullit të Krimesë nga Rusia.
Sot Krimeja është kthyer pa dëshirë në një simbol të prishjes së rendit të sigurisë dhe paqes në Europë. Një çtensionim i vërtetë i marrëdhënieve mes Rusisë dhe perëndimit mund të ketë atëherë, kur statusi juridik i Krimesë të sqarohet në shkallë ndërkombëtare – qoftë një kthim i Krimesë nën juridiksionin ukrainas, apo një marrëveshje ruso-ukrainase, ku një lidership i pavarur ukrainas e dorëzon vullnetarisht Krimenë.