Klajdi Bani, 41-vjeçari i arrestuar në Vlorë bashkë më dy persona të tjerë si autorë të vjedhjes me dhunë të dy shtetaseve të huaja, rezulton të ketë vrarë një polic grek 15 vjet më parë.
Ngjarja ka ndodhur në 5 mars 2009, kur Klajdi Bani grabiti “Bankën e Qipros” në Nikaia të Athinës. Pasi doli nga banka, ai u pikas nga polici Mihalis Spanoudakis, 36-vjec. Ky i fundit e ka ndjekur Banin deri në rrugën “Paraskevopoulo”, ku thirrjes për të ndaluar, Bani i është përgjigjur duke hapur zjarr ndaj policit grek. Ky i fundit mbeti i vdekur me 4 plumba.
Pas rreth dy muaj hetimesh, Bani u pikas pranë vendit të quajtur “Stathmos Larisis” në Athinë dhe u arrestua në sheshin “Pantazopoulo”. Hetimet për të zbuluan se ishte autor i 12 grabitjeve në banka dhe “Elta” në Athinë dhe Pire.
Klajdi Bani u dënua nga drejtësia greke me burgim përjetshëm plus 18 vjet për vrasje, grabitje me armë, armëmbajtje pa leje dhe përdorim arme. Në gusht 2015, Bani ishte mes 15 të burgosurve që tentuan të arratisen nga Burgu i Korfuzit përmes një tuneli, plan i cili dështoi. Nuk dihet se si ai ka arritur të dalë kaq shpejt nga burgu në Greqi.