Categories Lajme

U ekstradua nga Dubai/ “I rrezikohet jeta!”, Durim Bami kërkon transferimin nga ‘313’-a në burgun e Fushë Krujës

Avokati Ilir Murati i është drejtuar zyrtarisht institucioneve përgjegjëse me një kërkesë urgjente për transferimin e të paraburgosurit Durim Bami nga IEVP 313 në Tiranë drejt IEVP Fushë-Krujë, duke argumentuar se jeta dhe integriteti fizik i tij janë në rrezik real.

Kërkesa, e depozituar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, thekson se Bami aktualisht mbahet në ambientet e IEVP “Jordan Misja” (Burgu 313), ku ndodhen edhe persona që, sipas organit të akuzës, kanë qenë të përfshirë në plane për eliminimin fizik të tij.

Shtetasi Durim Bami mbërriti në Shqipëri më 26 shkurt 2026 nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u transferua menjëherë në paraburgimin e sigurisë së lartë në Tiranë. Ai përfaqësohet me prokurë të posaçme nga avokati Ilir Murati në procesin penal që po ndiqet nga SPAK.

Sipas dokumentit zyrtar, Bami akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal.

Ndërkohë, në Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar po zhvillohet një proces penal ndaj disa grupeve të strukturuara kriminale, mes tyre të njohura si “Martinaj”, “Avdylaj” dhe “Bajraj”.

Në kërkesën drejtuar autoriteteve, avokati Murati argumenton se prania e personave që dyshohet se kanë planifikuar vrasjen e Bamit në të njëjtin institucion përbën “rrezik real, serioz dhe aktual” për jetën e tij.

Sipas tij, administrata e burgjeve ka detyrim ligjor dhe konvencional për të garantuar sigurinë e çdo personi të privuar nga liria. Ai thekson se mosmarrja e masave parandaluese në një situatë të tillë do të përbënte shkelje të detyrimeve ligjore.

Avokati i referohet nenit 78 dhe 87 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, si dhe dispozitave të tjera përkatëse, duke theksuar se edhe personat e paraburgosur gëzojnë të njëjtat të drejta për siguri si të dënuarit.

Sipas deklarimeve të mbrojtjes, gjatë takimit të zhvilluar më 27 shkurt 2026 në ambientet e burgut, Bami ka shfaqur gjendje jo të mirë shëndetësore dhe stres të vazhdueshëm për shkak të situatës.

Për këto arsye, avokati kërkoi transferimin e menjëhershëm të Durim Bamit nga IEVP “Jordan Misja” në IEVP Fushë-Krujë dhe marrjen e masave të përkohshme emergjente të sigurisë deri në realizimin e transferimit.

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

“Polici më goditi me gur!”/ Dy të lënduar në spital pas protestës në Rrjoll, banori: Më kanë tërhequr zvarrë!

Dy prej banorëve që protestojnë për pronat e tyre në Rrjoll kanë mbetur të lënduar…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Përleshje e dhunshme në Lutraqi, Lutrak, në orët e para të mëngjesit të së premtes ka çuar në vdekjen e 17-vjeçarit shqiptar

Një përleshje e dhunshme në Lutraqi, Lutrak, në orët e para të mëngjesit të së…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Përfshihet nga zjarri magazina me materiale duralumini në Pogradec

Një magazinë me materiale duralumini në fshatin Gështenjas, Pogradec, po rrezikohet nga zjarri, sipas informacionit…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Rrilë, automjeti përplaset me motomjetin, plagoset një nga drejtuesit

Aksident në Rrilë. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:30, te kryqëzimi i fshatit Rrilë. “Rreth orës 10:30,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Grabitje të dhunshme, çmontohet banda e ‘skifterëve’ shqiptarë

Në një operacion në shkallë të gjerë është kryer ditën e djeshme në Itali, që…

LEXO ME SHUME