Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi në dalje të Kuvendit ka deklaruar se ka abstenuar gjatë votimit për zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut. Kryemadhi tha se deputeti i LSI, Agron Çela ka votuar pro zgjatjeve të afateve, ndërsa shtoi se ndihet skeptike se si opozita ndryshoi për 1 orë qëndrim sa i përket votimit.
“Dua të ritheksoj se për të mos qenë viktima të dezinformimit të partisë në pushtet dua t’u bëj të qartë se LSI ka marrë pjesë në këshillin e ligjeve dhe ka bërë oponencë për shtyrjen e afateve të vetingut. Në 2017 ne kemi paraqitur në Kuvend një paketë ku pjesë ishte dhe kjo që u diskutua sot në Kuvend.
Të shkëputemi nga shitja e votës së qytetarëve për interesa personale. Pse e them këtë? Nëse ka probleme me drejtësinë me prokurorinë amerikane, vota e deputetëve të ndryshojë brenda një ore. Sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë peng i një grupi të kapur nga qeveria. Zoti Çela ka votuar pro, unë abstenova. Kur PD ndryshon mendim brenda një orë s’ka pse të mos votojë pro Çela. Vendimi ynë ka qenë për abstenim”.
“Unë kam votuar abstenim për reformën territoriale dhe pro për reformën zgjedhore”, shtoi ajo.
Nga foltorja e parlamentit Kryemadhi u shpreh se deputetët nuk duhet ta votojnë zgjatjen e afateve të Vetingut nga frika e prokurorëve belgë, apo kolegëve që janë në burg, por ta votojnë për një drejtësi të cilët kanë nevojë qytetarët shqiptarë.
“Do të votoja pro sepse mendoj se edhe pse grupet e komisionit të vetingut nuk janë në standartin e duhur, pasi kanë probleme me sjelljen e tyre, me mesataren e tyre, pasi kur janë zgjedhur nuk kanë plotësuar kriteret, si dhe me standardet e dyfishta. Mjafton të përmendim çfarë kanë shkruar partnerët ndërkombëtarë në raportet e tyre. Mjafton të përmendim çfarë kanë thënë hartuesit e reformës në drejtësi, zoti Xhafaj gjithashtu, të bën përshtypje se ne e kemi mekanizmin zhbllokues të këtij komisioni për të shkuar drejt KLGJ-së dhe KLP-së dhe e kemi komisionerin, SPAK-un, për të bërë ankimime për KPA-në.
E megjithatë ne nuk e dimë ende nëse vetingut i duhet 2 vite apo më shumë, apo nevojitet më shumë staf apo buxhet, por me thënë të drejtën është ajo që dua të them është që kur të votojmë në parlament as të mos votojmë nga frika e prokurorëve belg, as nga frika e kolegëve që janë në burg, por të votojmë për një drejtësi që kanë nevojë qytetarët shqiptarë, që mos të mbetemi peng as të kaluarës dhe as të së tashmes, por as për të përsëritur dhe batutat e para 50 viteve të Kinostudios “Shqipëria e re”, “gëlltit një lugë çorbë të prishur dhe pastaj vjedh gjithë jetën”, tha Kryemadhi. Kryemadhi në fjalën e saj u shpreh se LSI e propozoi zgjatjen e organeve të vetingut në vitin 2018, por sipas saj u refuzua me arrogancë nga maxhoranca.
Monika Kryemadhi ka deklaruar se fillimisht është nisur për të votuar pro zgjatjes së mandatit të Vetingut në Kuvend. Në një intervistë për News24, Kryemadhi sqaroi arsyen se pse votoi abstenim për ndryshimet Kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut. Kryetarja e LSI-së tha se ka dyshime mbi miratimin e këtij vendimi.
“Në fakt unë do të votoja pro që të jem e sinqertë. Të jem e sinqertë do të votoja pro. Pse do të votoja pro? Do të votoja pro se edhe në 2016 kam votuar pro edhe pse kam pasur kundërshtitë e mia. Të gjithë e mbani mend, që grupi parlamentar i LSI atë kohë përjashtoi Përparim Spahiun, sepse pse shprehu një qëndrim një skepticizëm dhe një qëndrim se ç’punë kanë ONM dhe ndërkombëtarët të shkruhen në Kushtetutë. Se ja si vjen sot. Në tjetërsojmë fytyrën e opozitës për të bërë ndryshime kushtetuese dhe cenojmë kushtetutën. Ne votuam për arsye se ishte për hapjen negociatave.
E di si është puna e këtij votimit të sotëm? Ti thua që reforma në drejtësi ka rënë në koma dhe ti thua unë do t’i jap aspirinë. Duhet të gjesh çfarë problemi ka që nuk po funksionon. Çfarë ilaçi duhet t’i japësh? A është ilaç shtyrja apo është ilaç analiza? Në logjikë ti mund të shtysh mandatin e institucionit, por jo mandatin e individit. Sepse nuk ka vend të botës, vetëm mbretërit shkruajnë emrin në Kushtetutë.
A është zgjatja e vettingut një deal politik për të bërë një 17 maj tjetër? Apo është zgjatja e vettingut vërtetë për të pasur drejtësi të pastër dhe të pa kapur? A është zgjatja e vettingut kapje e shtetit, apo votimi i kësaj gjëje është për t’i dhënë drejtësi banorëve të 5 majit, të Shkozës, qoftë banorëve të unazës së re dhe kujtdo tjetër”, tha ajo.
