Minibashkia numër 2 në Tiranë ka mbyllur dyert për shkak të Covid 19. Mësohet se një punonjës i kësaj minibashkie ka rezultuar pozitiv me Covid, dhe për këtë shkak të gjitha shërbimet janë mbyllur përkohësisht.
Punonjësit janë larguar në shtëpi nga mëngjesi i djeshëm dhe i është thënë që të qëndrojnë në shtëpi deri të hënën. Ndërkohë është bërë dezinfektimi dhe një pjese të punonjësve i është marrë tamponi.
Në të gjithë Tiranën në 24 orët e fundit u zbuluan 35 raste pozitive me Covid 19, ndërkohë që në të gjithë vendin rezultuan 90 të tillë, numri më i madh që prej fillimit të pandemisë.
Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet me raste të shtuara ku aktualisht po trajtohen 80 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar. Ndërsa po merr trajtim spitalor edhe një fëmijë dy muajsh, rasi i parë i hospitalizuar, i prekur nga Covid19 nën kujdes nga stafi i pediatrisë infektive, në gjendje të stabilizuar bashkë me nënën. Fëmija është infektuar nga nëna. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1592 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1088 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
