Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për emërimin e Valbona Zhupës në detyrën e drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi emërimin e Valbona Zhupës, pas lirimit nga detyra të Armela Krasniqit, e cila u zgjodh në Kuvend kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).
Sipas Këshillit të Ministrave ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Valbona Zhupa ka përfunduar studimet në vitet 1996-2000 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Në vitin 2001-2004 ka publikuar shkrime, botime dhe intervista të ndryshme në organe të medias së shkruar si: “Mehr Licht”, ALEPH, suplementi Social-Kulturor i gazetës ”KORRIERI”, gazeta “Shekulli”, MILOSAO – Gazeta Shqiptare. Po ashtu ka mbuluar marrëdhëniet me shtypin për aktivitetin “Tirana International Film Festival – TIFF” (2003-2004).
Në vitet 2001-2004 ka punuar në gazetën “Zëri i Popullit”, gazetare kulture dhe sociale. Në vitet 1999–2001, gazetare kulture dhe sociale tek gazeta “Koha Jonë”. Ndërsa në vitet 2001-2011 ka punuar drejtoreshë e Zyrës së Shtypit/ Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun në bashkinë e Tiranës.
Në periudhën 2013–2016 ka qenë zv.drejtoreshë dhe drejtoreshë e Informacionit pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare.
Nga nëntori 2016 e në vazhdim Valbona Zhupa ka punuar shefe e redaksisë së emisioneve tematike dhe autore e emisionit “Qyteti im” pranë Televizionit Publik Shqiptar.
Valbona Zhupa ka marrë pjesë gjithashtu në një sërë trajnimesh dhe specializimesh si: trajnim për Qeverisjen Lokale ndërkombëtare-SEUL 2005; përfaqësuese e Bashkisë Tiranë në Komitetin Drejtues të Bashkimit të Kryeqyteteve të Europës Qendrore dhe Juglindore – Athinë 2006; “Roli i Zëdhënësit” nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë; Udhëheqja në Marrëdhëniet me Publikun dhe Komunikimin – 2005; Çështje të integrimit Europian dhe procesi i Asociim Stabilizimit-Bruksel dhe Parlamenti Europian dhe Historia Konstitucionale-Strasburg.
