Kreu i grupit p[arlamentar të LSI-së Petrit Vasili është shprehur në lidhje me planet e opozitës për këtë vit të ri dhe se kur partitë e minorancës parlamentare do të dalin në protesta.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Vasili tha se opozita aktualisht po i lë rrugë të lirë protestave të studentëve, por parajmëroi nga ana tjetër se opozita mund të shpërthejë nga çasti në çast në protesta apo aksione politike.
“Protesta e studentëve evidentoi regjimin injorant që qeveris sot. Kryeministri frikshmërisht injorant dhe i paditur sfidohet nga një brez i ri. Fatet e Shqipërisë janë më të rëndësishme se fatet politike. Shqipëria është në emergjencë kombëtare. Jemi në emergjencë politike, ekonomike dhe shoqërore. Kemi emigracionin më të madh. Shqiptarët e shikojnë të ardhmen vetëm jashtë vendit. Kemi emigracionin më të madh për të miturit nga 7-14 vjeç në Evropë.
“Protesta e opozitës ka të bëjë me atë që quhet protesta e madhe në shesh dhe nuk ka munguar. Ajo mund të shpërthejë nga çasti në çast, por është krijuar një raport për t’u lënë hapësirë studentëve. Opozita proteston çdo ditë, pasi është në mbështetje të qytetarëve. Banorët e Astirit kanë mbështetjen tonë. Do ketë edhe një kulm që do vijë e natyrshme, pasi kjo qeveri e shurdhër do përballet me një reagim të rreptë dhe të ashpër. Ka një sinkron me PD për sfidat. PD-LSI është në front të sinkronizuar për të mbrojtur çështjet parimore”- tha Vasili.