Categories Bota

Veniten ëndrrat e kurdëve pas marrëveshjes Turqi – Rusi

QAMESHLI dhe DIRIK, Siri – Një këngë e trishtë dëgjohej në rrugët e Qameshlit të mërkurën, ndërsa u mblodhën rreth një qind vetë në mbështetje të forcave kurde në verilindje të Sirisë. Luftimet janë ndalur për momentin në kufirin sirian me Turqinë, por askush nga ata që u intervistuan nga Zëri i Amerikës nuk ka ndonjë ide se çfarë pritet në të ardhmen. “Luftëtarët marrin hak për nënat të cilave u kanë vrarë djemtë,” thotë një zë burri, i cili këndon në gjuhën kurde para se një organizator të marrë mikrofonin për të njoftuar se kush do të varroset atë ditë.

Të martën në mbrëmje, një pauzë pesë ditëshe në luftimet mes forcave turke dhe kryengritësve të udhëhequr nga kurdët përfundoi pas arritjes së marrëveshjes Turqi-Rusi. Marrëveshja kërkon që forcat kryesore luftëtare kurde, pjesë e organizatës YPG, të largojnë të gjitha trupat dhe armatimet 30 km larg kufirit me Turqinë. Qeveria siriane dhe trupat ruse janë futur në këtë rajon që më parë ishte gjysmë-autonom dhe është qeverisur nga kurdët që në 2011. “Ne ushqenim ëndrra për një vend ku të gjithë të jetonin së bashku si vëllezër. Kjo ëndërr ka vdekur,” thotë Abdulvakil, një gurë-punues 51-vjeçar, i mbështetur tek motoçikleta e tij.

E ardhme e paqartë Megjithatë në tubim shfaqet një optimizëm i paepur kur një gazetar flet për ngjarjet e ditës si një ‘humbje e madhe në betejë’. “Ne jemi të zotët e kësaj toke. Do të luftojmë deri në pikën e fundit të gjakut,” thotë 34-vjeçarja Haval Heline.

Lejlaja, një 40-vjeçare, nënë me tre fëmijë thotë se e ardhmja e saj është e pasigurtë. Forcat kurde nuk mund të mundin Turqinë, Rusinë dhe trupat qeveritare të Sirisë. Ajo shton se nuk e imagjinon dot si do të jetë jeta nëse qeverisja lokale kalon në duart e autoriteteve të Damaskut, të cilat ndihmohen nga Rusia. Në 2018, Lejlaja me familje ikën nga Afrini ndërkohë që luftëtarë sirianë me mbështetjen e Turqisë morën nën kontroll këtë qytet që më parë administohej nga kurdët. Si shumë të tjerë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës, ajo thotë se qeveria siriane është shqetësim më i vogël për të se sa Turqia, apo aleatë të tjerë të Damaskut.Ajo, si të gjithë të tjerët që komentuan, fajëson Shtetet e Bashkuara për të vrarët, për shtëpitë e shkatërruara dhe për humbjen e kontrollit mbi këto zona gjatë dy javëve të fundit. Luftimet filluan pasi Presidenti Donald Trump njoftoi papritur se do të tërhiqte trupat nga Siria brenda dy muajsh pasi premtoi të patrullonte një zonë neutrale mes dy forcave armike. “Nuk e mendonim kurrë se Amerika do të na braktiste. Na tradhtuan,” thotë Lejlaja.

Sulm nga ISIS Afro një orë pas bisedën me Lejlanë, një makinë-bombë shpërtheu në një lagje aty pranë. Besohet se sulmi ishte realizuar nga militantë të Shtetit Islamik (ISIS). Që kur Turqia filloi ofensivën ushtarake, ka pasur elementë ekstremistë që kanë ikur nga burgjet, si dhe ka pasur protesta nga familjet e luftëtarëve të ISIS-it në kampet e të burgosurve.

Forcat e udhëhequra nga kurdët kanë paralajmëruar vazhdimisht se kanë nevojë për ndihmë ndërkombëtare në kampet dhe burgjet ku mbahen dhjetëra mijëra luftëtarë të rrjeteve terroriste si dhe familjet e tyre. “Nëse gjërat keqësohen jashtë kampeve, nuk do të jemi në gjendje t’i mbajmë nën kontroll të burgosurit,” thotë Lejla Rezgar, në kampin e refugjatëve al-Hol, që mban aktualisht 71 mijë vetë, pjesa më e madhe gra e fëmijë që u përkasin familjeve të luftëtarëve të ISIS-it. Seksioni që ajo kryeson, tregon zonja Rezgar, mban 9 mijë vetë nga 58 vende. Ata janë familje që u tërhoqën me ISIS-in para se të shkatërrohej “Kalifati” dhe shumë prej tyre janë ndër ekstremistët më të rrezikshëm që mund të ndeshësh.

Një numër i madh vendesh nuk kanë pranuar të riatdhesojnë shtetasit e tyre dhe ekspertët thonë se vazhdimi i kaosit në Siri do të ketë si nënprodukt një ringjallje të ISIS-it. “Fëmijët këtu gjuajnë me gurë shkollën dhe mësueset që nuk vënë ferexhe. I shajnë me fjalët “të pafe,” thotë zonja Rezgar për Zërin e Amerikës. ‘Ëndrra Rojava’

Ndërkohë që trupat siriane dhe ruse u përhapën në Sirinë verilindore, banorët lokalë i thanë Zërit të Amerikës se të gjithë presin me ankth të dinë se kush do të marrë kontrollin nëpër qytetet e zonës. Në një kafene të vogël në Dirik (apo Malikeja, siç njihet në gjuhën arabe) klientët luajnë letra dhe pinë çaj, ndërkohë që thonë se nuk e kanë aspak të qartë se çfarë pritet të ndodhë. “Nuk e imagjinojmë dot si do të zhvillohet beteja me forcat ruse e ato qeveritare,” thotë 60-vjeçari Turkey Husain.

Kur forcat amerikane ishin ende të dislokuara në zonën kufitare, ato shërbenin si masë parandaluese ndaj operacioneve ushtarake turke. Megjithatë, turqit i konsiderojnë ndërhyrjet ushtarake si të domosdoshme për sigurinë kombëtare. Ankaraja e konsideron YPG-në si organizatë terroriste e ngjashme me PKK, e cila prej vitesh organizon sulme kundër Turqisë. Para tërheqjes, Shtetet e Bashkuara kishin mbështetur zyrtarisht një organizatë të quajtur Forcat Demokratike Siriane që përfshinte disa grupime, të cilat luftonin kundër ekstremistëve të ISIS-it. Kjo u pa si mbështetje e Amerikës për YPG-në.

Zyrtarët e YPG-së dhe të Forcave Demokratike Siriane (SDF) kanë thënë prej kohësh se nuk kanë plane për operacione jashtë Sirisë, por në radhët e tyre ka simpatizantë të PKK. Po ashtu dy organizatat, YPG dhe PKK kanë idhuj dhe simbole të përbashkëta. Megjithë lidhjet mes tyre, luftëtarët kurdë impresionuan botën perëndimore kur u angazhuan në betejë kundër ISIS-it në 2014. Ata morën nën kontroll territore që ishin zaptuar nga terroristë, duke premtuar për ta kthyer rajonin Rojava, siç njihet në gjuhën kurde, në një zonë të vetadministruar ku të respektohej barazia gjinore e etnike.

Ideja u quajt “Ëndrra Rojava” dhe tërhoqi shumë luftëtarë të huaj e activistë të ndihmave në Sirinë verilindore. Ka nga ata që e qajnë fashitjen e kësaj ëndrre, por për klientët në një dyqan çaji në Dirik kjo ëndërr vetëm po pezullohet për ca kohë: “Aty ku ka njerëz të mirë, shpresa nuk vdes kurrë,” thotë Huseini për Zërin e Amerikës. Gjatë dy javëve të fundit, qindra vetë kanë vdekur; qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur në një betejë të pabarabartë që forcat kurde nuk kanë shans ta fitojnë pa ndihmë ndërkombëtare, thonë këta klientë në Dirik. “Po të kishim avionë luftarakë do të kishm luftuar, por ne luftojmë thjesht me AK-47 (kallashnikovë),” shpjegon Huseini. “Së paku për momentin bombardimet kanë pushuar dhe fëmijët mund të bëjnë një sy gjumë”. /Voa/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Bota Lajme

Vrasja e shefit të kompanisë së sigurimeve në SHBA, ky është 26-vjeçari i arrestuar si autor i krimit!

Një 26-vjeçar është akuzuar për vrasje si autor i vrasjes së shefit ekzekutiv të UnitedHealthcare,…

LEXO ME SHUME
Categories Bota

SHBA, një person me fat nga New Jersey fiton jackpotin e Mega Millions prej 1.13 miliardë dollarë

Një person i vetëm në New Jersey ka fituar çmimin e parë të Mega Millions…

LEXO ME SHUME
Categories Bota

Ndjekja si nëpër filma në arën me misër përfundon me aksident fatal (Video)

Këto janë pamjet kur një shofer i dehur ndiqet nga policia në një fushë me…

LEXO ME SHUME
Categories Bota

Sulmi tragjik në Moskë, Putin flet për herë të parë: Armiqtë tanë nuk do të na ndajnë

Presidenti rus Vladimir Putin ka folur për herë të parë pas sulmit tragjik që ndodhi…

LEXO ME SHUME
Categories Bota Lajme

Vdes aktorja Robin Bernard, trupi i saj u gjet në një fushë, mister shkaqet e vdekjes

Aktorja Robin Bernard, e njohur për rolin e saj në General Hospital, ka vdekur në…

LEXO ME SHUME