Categories Lajme

Vera shqiptare, në vështirësi për shitjet, pësoi rënie deri në 80%

Vera shqiptare nuk e ka marrë ende veten nga rënia deri në 80% e shitjeve në muajt e karantinës. Në kantinat shqiptare, prodhimi u rrit në muajt e parë të 2021, por kërkesa është ulur krahasuar me periudhën para pandemisë. Prodhuesit pohojnë se mungesa e turistëve të huaj dhe e kontrollit të shitjeve të verës së importit, po lënë në hije produktin shqiptar. Tregu i verës këtë vit po njeh rritje të ngadaltë, duke mos rikuperuar dot nivelet e parakrizës.

Në muajt janar-prill 2021, kantinat në vend shtuan prodhimin 33% krahasuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të doganave, rritje shënuan edhe verërat e importit. Prodhuesit më të mëdhenj të verës shqiptare pohojnë se rimëkëmbja e sektorit është shumë e ngadaltë pas goditjes nga tërmeti dhe izolimit të popullatës në muajt mars-maj të vitit të kaluar.

Mbyllja e bareve dhe restoranteve reduktoi në 2020 shitjet e verës me 70-80%. Me hapjen e ekonomisë, mungesa e turistëve të huaj ndikoi te shitjet e verës vendase.

Drejtuesit e kantinave thanë se produkti në muajt e verës blihet kryesisht nga shtetasit e huaj, të cilët frekuentojnë më tepër biznesin e agroturizmit, ku organizohet degustim vere.

Edhe për këtë vit, në tërësi, industria vendase vuan rënien e shitjeve, pasi frekuentimi në bare dhe restorante është i ulët. Prodhuesit më të mëdhenj të verës pohuan se për shitjet, industria “po e merr veten me vështirësi”, për shkak të tërmetit të 2019-s dhe pandemisë.
“Ngjarja e tërmetit të 26 nëntorit 2019, ndikoi te shitjet për eventet dhe festat e fundvitit.

Dëmet ekonomike që bizneset pësuan nga tërmeti nuk u përmendën asnjëherë, jo më të subvencionoheshin. Më pas erdhi pandemia dhe agroturizmi ka qenë pothuajse më i godituri ekonomikisht. Shitjet në karantinë pësuan rënie drastike, për shkak të mbylljes së restoranteve. Pasi u rihapëm, paguam edhe kamatëvonesë shumë të lartë për detyrimet e vjetra.

Asnjë kategori nuk përfitoi ndihmë ekonomike, si biznes. Në periudhën e karantinës, pavarësisht mbylljes së aktivitetit, u paguan të gjithë punonjësit, pasi për ne do të ishte më i vështirë dhe me kosto të lartë rikthimi i tyre.

Para pandemisë ishin të punësuar 35 punonjës, ndërsa aktualisht janë 20 të punësuar. Shitjet janë ulur me 60%, për shkak të rënies së frekuentimit në restorante. Në këtë periudhë pandemie, konsumatori është i prirë të kursejë, për shkak të reduktimit të të ardhurave dhe pasigurisë nga kriza”, pohon z. Flori Uka, enolog, njëkohësisht dhe administrator i fermës “Uka”.

Periudha e karantinës konsiderohet e vështirë edhe për Blerim Kokomanin, përfaqësuesi i kantinës së verës “Kokomani” në Durrës. “Mbyllja totale e vendit nga Covid-19, na përshtati me strategji të reja, duke ofruar shërbimin ‘delivery’.

Shitjet u ulën 60-70%, sepse lokalet dhe restorante, ku shitet më shumë vera, u mbyllën. Me hapjen e pjesshme të lokaleve, shitjet u rritën, por jo në normat e kënaqshme.

Muajt më të suksesshëm janë periudha e fundvitit, nëntor – dhjetori. Katër muajt e parë të 2021 nuk kanë pasur ecuri të mirë, por në fillim të sezonit turistik, ku prej disa ditësh kanë ardhur edhe turistët e parë, shitjet janë në rritje”.

Tendenca Vitin e kaluar, mbyllja e hoteleve dhe restoranteve tkurri ndjeshëm shitjet e pijes së verës në strukturat e shërbimit, por rriti 50% konsumin e paketimeve 2 dhe 3 litra nga familjarët gjatë periudhës së izolimit, sipas drejtorit të përgjithshëm të kantinës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, z. Denis Zhilla. Tendenca vazhdon të jetë e pranishme edhe për 2021.

“Në shërbimet HoReCa (Hotele-Restorante-Kafene) shitjet gjatë karantinës (muajt mars-maj) ranë 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s. Në anën tjetër, në këta muaj u rrit 50% konsumi për paketimet e verës 2 dhe 3 litra nga familjarët. Shitjet për kategorinë e familjarëve, si në vlerë dhe në litra u rritën 32% krahasuar me 2019. Rënien më të lartë, shitjet e patën në periudhën e turizmit.

Për shkak të mungesës së turistëve të huaj ranë 80%. Pavarësisht situatës Së krijuar nga pandemia, viti 2020 u mbyll me bilanc pozitiv. Totali i shitjeve të verës ishte 32% më shumë se në 2019.

Situata aktuale paraqitet e përmirësuar. Individët, duke qenë të familjarizuar me qëndrimin në shtëpi, po konsumojnë më shumë verë në banesë sesa në restorante. Për 4-mujorin e parë të 2021, shitjet janë 26% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë”, thekson z. Zhilla.

Shtohet eksporti patriotik i verës

Një tendencë tjetër është rritja e eksportit të verës vendase. Kantina “Nurellari” në Berat, këtë vit ka rritur eksportin e verës drejt Zvicrës, e ndikuar nga rritja e kërkesave nga emigrantët shqiptarë. “Në 4-mujorin e parë 2021, kërkesa është përmirësuar krahasuar me 2020, për shkak të shtimit të eksporteve në Zvicër. 80% e sasisë së verës së eksportuar blihet nga emigrantët shqiptarë, ndërsa 20% tjetër preferohet nga shtetasit zviceranë.

Për shkak të mbylljes së restoranteve dhe vinotekave, në muajt e karantinës (dyqanet e shitjes së verës) shitjet ranë 80%. Pas hapjes së ekonomisë, shitjet filluan të përmirësohen gradualisht, duke marrë parasysh edhe frekuentimin e ulët në restorante. Pavarësisht kufizimeve të funksionimit të këtyre strukturave dhe mungesës së turistëve të huaj (në muajt e verës shitjet ranë 40%) nuk kemi ndier pasoja të forta, pasi industria jonë funksionon me stoqe”, pohon z. Nurellari.

Prodhimi vendas dhe stoqet

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Doganave, në vitin 2020, prodhimi i verës vendase ra 42,5% krahasuar me një vit më parë. Për 2021, sipas të dhënave të 4-mujorit, ecuria e prodhimit shfaqet e përmirësuar. Për muajt janar-prill të këtij viti, prodhimi u rrit 33% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-s. Për shkak të pandemisë vitin e kaluar, prodhimi i 4-mujorit është gati 60% më pak se në 2019.

“Vitin e kaluar, prodhimi pësoi rënie, krahasuar me mesataren e prodhimit të verës së viteve para pandemisë. Rënia e prodhimit nuk është ndier, pasi vera sa më shumë të staxhionohet, aq më e mirë është”, thotë Levent Nurellari i kantinës “Nurellari”, e cila 75% e prodhimit e bazon te vreshtat e kompanisë me sipërfaqe 7 hektarë dhe 25% e verës bëhet nga rrushi që u blihet fermerëve të zonës.

Abuzimet me tregtimin e verës së importit, rënia e shitjeve nga tërmeti i 2019-s, pandemia dhe ulja e eksporteve janë arsyet kryesore për krijimin e stokut të pashitur të verës vendase, me vlerë 200 milionë lekë (duke iu referuar çmimit të shitjes me shumicë), sipas përfaqësuesit të fermës “Uka”. “Pandemia na ndërpreu edhe bashkëpunimet me eksportet, për të cilat punonim prej vitesh.

Ky ishte një problem global, por në dëm edhe të biznesit shqiptar. Në kantinën tonë, janë 4 vite verë e prodhuar, të cilat nuk gjejnë asnjë hapësirë shitje përveç restorantit tonë, ku shitet 10% e prodhimit në vit. Kantina ka një stok prej 160,000 shishe vere, të cilat janë gati për shitje, por për shkak të tregtisë së padrejtë dhe faktorëve të tjerë nuk mund të tregtohen në tregun vendas. Paragjykimi i verërave shqiptare është jo i mirë dhe vlerësimi i vërërave të importit, për të cilat nuk kemi informacion, është pozitiv”, – thekson z. Flori Uka.

Problemet e sektorit

Problemet me konkurrencën e pandershme, niveli i lartë i importeve dhe mungesa e promovimit të verës shqiptare nga institucionet shtetërore janë problematikat që hasin më shumë prodhuesit shqiptarë të saj. Për kantinat më të mëdha në vend, shqetësim kryesor është prania e lartë në treg e verës të huaj dhe mungesa e kontrollit për shitjet.

Vera e importit, sipas të dhënave të Doganave, zë 89% të produktit të konsumuar në 2020. Tendenca ishte e njëjtë edhe në 2019. Nga totali i verës së konsumuar, 80% e zë importi. Në 2020, totali i verës së importuar ra 30% krahasuar me 2019. Për 4-mujorin e parë të 2021, importet u rritën 23% krahasuar me 2020.

“Në tregun aktual, krahas prodhimit vendas të verës, janë më shumë të pranishme verërat e importit, sidomos ato italiane, franceze, të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut e Kosovës etj. Në këtë kontekst, zhvillimi i kësaj industrie në vend kërkon vëmendje të veçantë dhe paraqitet mjaft kompleks, për sa u përket varieteteve të rrushit të prodhuar në vreshtat shqiptarë dhe gamës së pijeve sipas varieteteve të hedhura në treg me ‘brand name’ të ndryshme.

Zhvillimi i industrisë ushqimore të prodhimit të verës synon plotësimin e shijes konsumatore me prodhime vendi. Si e tillë, kjo industri merr në konsideratë vreshtat, prodhuesit vendas (kantinat dhe fabrika), ofruesit e ambalazhimit dhe tregtarët lokalë. Faktor i rëndësishëm në këtë treg mbeten, pa dyshim, importuesit e këtyre produkteve nga Italia, Franca, SHBA, Greqia e Kili, por dhe nga vendet e Ballkanit”, pohon drejtori i përgjithshëm i kantinës së pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, z. Denis Zhilla.

Në mbrojtje të prodhimit vendas, sipas drejtuesit të fermës “Uka”, nevojitet një rregullator për shtimin e kontrollit ndaj produkteve të importit. “Një subjekt që prodhon verë prej 15 vitesh e ka të vështirë ta shesë atë në Shqipëri, pasi tregu dominohet nga importet. Tarifat doganore për importin janë të ulëta, ndërsa procedurat për eksport janë të shumta, duke përfshirë edhe koston e lartë të marketingut. Në anën tjetër, në tregun e shitjes së verës së importit ndodhin abuzime, të cilat duhet të kontrollohen nga shteti, pasi po lënë në hije prodhimin vendas”, thekson z. Uka.

Për sektorin është shqetësuese edhe konkurrenca e pandershme dhe shitja e produkteve të falsifikuara për shkak të mungesës së kontrollit nga instancat shtetërore drejt falsifikatorëve, apo edhe personave të pacilësuar për të prodhuar e për të tregtuar alkool, sipas përfaqësuesit të kantinës së pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Prodhuesit vendas thonë se mbetet problem edhe mungesa e disa faktorëve për të edukuar konsumatorin drejt produkteve vendase.

“Tregu i verës shqiptare në vend është në vështirësi për shkak të konkurrencës së pandershme dhe mungesës së promovimit nga institucionet shtetërore. Konsumatori vendas parapëlqen një produkt që vjen nga importi sesa të konsumojë atë shqiptar. E kundërta ndodh me konsumatorin e huaj (turistët) të cilët janë të interesuar për verë shqiptare.

Prodhimi dhe cilësia, vitin e kaluar, ishin të larta, por kantinat janë të gjitha plot me produkte për shkak të masave izoluese të pandemisë”, pohon përfaqësuesi i kantinës “Kokomani”. Ai thotë se problem është edhe ligji i verës, sepse nuk njihet si produkt ushqimor, siç e kanë vendet si Italia, por konsiderohet mall luksi dhe administrohet me regjim doganor akcize. “Procedurat burokratike janë të ashpra dhe penalizuese, me gjoba që nisin nga 1 milion lekë. Kjo ka sjellë edhe falimentimin e disa kantinave”.

Me synim formalizimin e tregut pritet që në Parlament të nisin diskutimet për projektligjin “Për vreshtarinë dhe verën”. Projektligji përqendrohet te prodhimi i verës me varietete të mirëpërcaktuara e të certifikuara; regjistrimin e të gjitha sipërfaqeve të mbjella; etiketimin, marketingun sipas rregullave të Bashkimit Europian; kryerjen e kontrollove; që do të çojnë në formalizim të plotë të sektorit nga prodhuesi deri te përfituesi përfundimtar, në rritje të konkurrueshmërisë së produktit, në ulje të importit, gjenerim të të ardhurave dhe përmirësim të jetesës.

Mungesa e tokës për të mbjella

Problemet me dokumentacionin e tokës dhe mungesa e ngastrave të lira për mbledhjen e vreshtit janë të pranishme edhe në sektorin e prodhimit të verës. “Nëse do të mbjellim sivjet për herë të parë një varietet rrushi, prodhimi do të mblidhet pas 6 vitesh.

Duke qenë se elementi kryesor i industrisë është stoku, duhet të mendojmë shumë vite më parë për mbjelljet e reja. Gjetja e tokave të lira është një problem. Nëse marrin një ngastër toke shtetërore me qira, gjithmonë na dalin fermerë me pretendime pronësie. Shteti duhet të na garantojë ngastra të sigurta toke, që të mos krijohen konflikte me fermerët. Shumë toka të tjera janë zaptuar nga fermerët”, pohon Levent Nurellari.

Shqetësues për drejtuesin e fermës “Uka” është edhe keqmenaxhimi i fondeve për bujqësinë. “Fondet e BE-së që vijnë për bujqësinë, asnjëherë nuk përfundojnë në duart e atyre të cilët punojnë tokën, por tek ata që punojnë në zyrë. Justifikimi i plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm është i tepërt, duke njohur realitetin e problematikave të pronave që shqiptarët hasin me institucionet, jo për fajin e tyre.

Kur e dimë që jetojmë në një shtet informal, pse fondet duhet të ndryshojnë drejtim? Nëse nuk arrijnë ta formalizojnë dot, atëherë shpërndani fondet me NIPT, ashtu si bizneset paguajnë taksat deri në qindarkën e fundit”.

Eksportet

Ndonëse vera shqiptare ka filluar të jetë konkurruese në tregun e brendshëm, mundësitë për eksport mbeten të largëta, ose të paktën nuk po shfrytëzohen sa duhet. Eksportet mbeten në vlera simbolike. Prodhuesit vendas të verës tregojnë se po tentojnë të gjejnë tregje të reja, por nuk e përjashtojnë faktin se e kanë të vështirë të konkurrojnë kantinat në rajon, e veçanërisht në Mal të Zi e Maqedoni.

Për kantinën “Kokomani”, eksportet janë në sasi të vogla. Përfaqësuesit e saj theksojnë nevojën e politikave promovuese nga institucionet shtetërore në panaire ndërkombëtare.

“Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë duhet të bëjnë promovimin dhe gjetjen e tregjeve të huaja. Aktualisht eksportojmë në Hong Kong dhe po punojmë për tregun britanik, ku kemi marrë dhe porositë e para, por procedurat për informacion nga administrata janë zero në mbështetje të plotësimit të procedurave ligjore që duhen me vendet e BE-së dhe Britaninë e Madhe”, tha Blerim Kokomani.

Eksportet e kompanisë “Uka” para pandemisë u rritën, ndërsa në karantinë, për shkak të moslejimit të lëvizjes dhe mbylljes së bizneseve, u bllokuan 100 mijë euro investim (verë e ambalazhuar për eksport në SHBA). “Parashikojmë që eksportet të rimëkëmben, por për shkak të krizës nga Covid-19, ku shumë kompani jashtë po falimentojnë jemi të detyruar të ulim çmimin e shitjes. Ulja e çmimit, ul fitimit dhe na vë në vështirësi për kryerjen e shumë investimeve të parashikuara”, shprehet Flori Uka.

Për kantinën më të madhe të prodhimit të verës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, e cila zotëron 40 hektarë vreshta, ecuria e eksporteve ka pasur rritje 5% për verën dhe 12% më pak në kategorinë e konjak “Skënderbeu” krahasuar me 2019, për shkak të rënies së konsumit në vendet e BE-së. /Monitor

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Atentati mafioz/ Po lëvizte me motor, ekzekutohet 41-vjeçari në Selanik, në atentat mori pjesë edhe një grua

Një 41-vjeçar është qëlluar për vdekje në Selanik. Sipas mediave greke 41-vjeçari ka marrë plagë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Makina del nga rruga dhe përfundon në Lanë, humb jetën shoferi

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë. Në zonën e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shiste kokainë në zona të ndryshme të qytetit, arrestohet 41-vjeçari në Vlorë

Një 41-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi shiste doza kokaine, në lagje të ndryshme të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Rindërtimi pas tërmetit/ Rama u dorëzon qytetarëve çelësat e 404 apartamenteve në Vorë: I keni prona tuajat, pa asnjë kredi apo borxh

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Vorë ku ka dorëzuar banorëve të cilëve u…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3” vihet në pranga 41-vjeçari

DVP Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”. Shiste doza kokaine, në lagje të ndryshme…

LEXO ME SHUME