Versionet e policisë për ndarjen nga jeta të Lear Kurtit, janë kontradiktore dhe po përgënjeshtrohen nga pamjet filmike.
Një video e siguruar nga Euronews Albania, tregon skenën e ngjarjes, e cila ndryshon nga përshkrimi i policisë, që deklaroi se Lear Kurti po qëndronte përpara një biznesi dhe kjo ishte arsyeja përse u ndalua.
Në fakt, në video Kurti shfaqet duke ecur, ndërkohë që flet në telefon. Ky është momenti kur patrulla e policisë i vihet në ndjekje.
Pamjet, por edhe deklarata e policisë, sugjerojnë se Kurti mund të jetë ndaluar pa arsye.
Më pas shfaqen pamjet kur dy policë e ndjekin me vrap 32-vjeçarin, ndërsa makina e policisë vjen pas tyre. Ata e kanë ndjekur për 200 metra, deri në momentin që e kanë neutralizuar në rrugën e ‘Don Boskos’.
Kurti më pas është transportuar për në komisariatin nr 3 edhe pse gjendja e tij shëndetësore ka qenë shumë e rënduar.
Ky fakt provohet nga pamjet e publikuara, nga momenti kur tre efektivët shoqërojnë të riun, e kapur në trotuar. Siç shihet dhe në videon e mëposhtme, Lear Kurti ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pa ndjenja, teksa efektivët mundohen ta ngrejnë. Në vend të lajmërojnë ambulancën, apo ta dërgonin menjëherë në spital ku mund të ishte shpëtuar, efektivët e kanë çuar të riun në komisariat.
Ndërkohë më vonë kreu i PD-së Sali Berisa ka ndarë një foto të Kurtit në spital.
