Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj deklaroi të mërkurën se kishte kërkuar ndarjen nga bashkëshorti, pasi ky i fundit ishte treguar ‘neglizhent’ ndaj saj dhe nuk i kishte treguar për konfliktin me një prej anëtareve të trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që po kryente rivlerësimin ndaj saj.
Në një bisedë telefonike me BIRN Imeraj konfirmoi përmbajtjen e një faksimileje të publikuar fillimisht në publikimin online cna.al, në të cilën thuhej se prokurorja kishte kërkuar divorcin, pasi i shoqi kishte mbajtur të fshehur një përplasje “verbale dhe fizike” me kryetaren e KPK-së, Genta Tafa Bungo, duke shtuar se ky konflikt kishte cënuar “procese të rëndësishme të jetës së saj profesionale”.
Imeraj i tha BIRN se të dy palët – si bashkëshorti ashtu edhe kryetarja e KPK-së, Genta Tafa Bungo – që ishte shortuar si pjesë e trupës që do kryente rivlerësimin e saj, e kishin mbajtur “në mënyrë të papërgjegjshme” të fshehur këtë rrethanë. “Burri është treguar neglizhent dhe i papërgjegjshëm duke mos më vënë në dijeni për këtë situatë, por nuk dua të fokusohem të kjo sepse është personale”, tha Imeraj.
Ajo nga ana tjetër bëri akuza të ashpra ndaj Bungos, duke e akuzuar se kishte shpërdoruar detyrën dhe se ishte në konflikt interesi. “Është e papërgjegjshme që anëtarja e KPK nuk e ka deklaruar këtë fakt që në fillimin e procesit të rivlerësimit,” tha Imeraj. “Ajo është treguar e papërgjegjshme ndaj detyrës së saj dhe ndaj meje si subjekt rivlerësimi”, shtoi Imeraj. Elisabeta Imeraj është drejtuese e Prokurorisë së Tiranës që prej gushtit të vitit 2018. Ajo u komandua në atë post pas shkarkimit prej KPK-së të ish-prokurorit, Dritan Rreshka. Imeraj që më herët ka qenë prokurore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda është po ashtu një prej kandidateve për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK). Ajo është shortuar për t’u rivlerësuar po në gusht të vitit 2018 si pjesë e listave prioritare për shkak se ishte prokurore e Krimeve të Rënda.
Imeraj deklaroi se Bungo duhet ta kishte bërë të ditur këtë situatë që në fillim të procesit dhe të kishte kërkuar dorëheqjen. Ajo e përjashtoi mundësinë që një rrethanë e tillë të ishte harruar, ndërsa nënvijëzojë se vetë do ta kishte mbajtur mend nëse do të ishte sulmuar fizikisht.
Prokurorja shpjegoi se Bungo ishte përjashtuar tashmë prej çështjes së saj dhe se përjashtimi nga trupi gjykues dhe kërkesa për divorc kishin ndodhur thuajse në të njëjtën kohë. E kontaktuar nëpërmjet zëdhënëses së KPK-së, kryetarja Genta Tafa Bungo nuk ishte e arritshme për koment të mërkurën.
Ndërkohë, në faksimilen e publikuar online lexohet se Imeraj pretendon se konflikt midis komisioneres dhe bashkëshortit ka ndikuar procesin e rivlerësimit ndaj saj.
“Shumë detaje gjatë këtij procesi në mënyrë të çuditshme kam vënë re që lidhen vetëm me bashkëshortin tim”, thuhet në padinë ku kërkohet zgjidhja e martesës./BIRN/