Qyteti i Vlorës do të jetë epiqendra e festimeve të “Ditës së Europës”, në datën 9 maj.Gjatë një vizite në qytetin e Vlorës, ku mori pjesë në disa aktivitete me tematikë integrimin europian të Shqipërisë, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, u shpreh se, këtë ide ja propozoi kryebashkiakut Dritan Leli, prej të cilit mori miratimin dhe mbështetjen e duhur.“Unë mendoj që, Vlora është një qytet që është projektuar drejt të ardhmes qysh tani dhe në fakt është një qytet në të cilin Bashkimi Europian ka investuar shumë. Dhe, për këtë arsye, ishte qyteti dhe bashkia perfekte për t’i hedhur sytë drejt së ardhmes”, u shpreh kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, në përgjigje të një pyetjeje të ATSH-së, lidhur me këtë vendim.Soreca, tha se “Dita e Europës në Vlorë, aktiviteti më i rëndësishëm vjetor në vend, do të marrë një dimension tjetër, nëse në Samitin e radhës në Zagreb, do të çelet “Drita Jeshile” për Shqipërinë”.Kryebashkiaku, Dritan Leli, u shpreh entuziast për përzgjedhjen e Vlorës si qytetin ku do të festohet “Dita e Evropës”. “Mirëprita dhe mbështeta idenë e Ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, për të përzgjedhur Vlorën si qytetin, si bashkinë ku, në 9 maj, do të festohet Dita e Europës.“Kjo ditë me simbolikë të fuqishme, që sintetizon aspiratën tonë për t’u bërë pjesë e familjes në të cilën ndihemi që jemi, do të shndërrohet në një moment besimi drejt të ardhmes tonë europiane”, u shpreh Leli.Sipas tij, “Dita e Europës”, në Vlorë, është një hap drejt asaj që ne ëndërrojmë çdo ditë, që punojmë dhe projektojmë çdo çast, është pjesë e vizionit tonë për të nesërmen”.“Vlora e sotme, tërësisht e transformuar në vetëm pak vjet, do të bëhet epiqendra dhe simbolika në shkallë vendi, e aktivitetit më të madh vjetor të familjes së madhe evropiane”, citoi më tej kryebashkiaku i Vlorës, duke shtuar se “nga Vlora jonë e Pavarësisë, do të nisë një faqe e re e historisë së Shqipërisë, pas vendimit të pritshëm në Samitin e Zagrebit”.Optimist për pritshmëritë në javët që do të vijnë, Leli bëri thirrje për ta shndërruar Javën dhe Ditën e Europës, në argumentin më të madh se, ne e meritojmë të jemi me dinjitet në familjen e vendeve dhe popujve të Europës së Bashkuar.Duke cituar fjalët e Ambasadorit Soreca, lidhur me vendimin për të përzgjedhur Vlorën si qytetin e festimeve të këtij viti në Ditën e Europës, kreu i bashkisë së Vlorës tha se, “ato përbëjnë inkurajimin për objektivat tona, ashtu sikundër mbështetja e Qeverisë dhe Kryeministrit Rama, na krijojnë besimin se, jemi në rrugën e duhur”
Categories
Lajme
Vlora, qyteti i përzgjedhur për “Ditën e Europës”
