Categories Lajme

Vlorë/ Përkujtohet tragjedia e Otrantos, familjarët e viktimave: Drejtësia nuk u vu në vend

Në Vlora është përkujtuar këtë të shtunë 29-vjetori i Tragjedisë së Otrantos, një prej ngjarjeve më të rënda në historinë e vendit, ku humbën jetën 81 persona.

Familjarë të viktimave, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror, si dhe qytetarë të shumtë, u mblodhën pranë bregdetit për të nderuar kujtimin e atyre që humbën jetën në këtë tragjedi. Me iniciativë të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe deputetes së qarkut Vlorë, Erjona Ismaili, 81 karrige të vendosura buzë detit simbolizuan jetët e ndërprera, ndërsa hedhja e luleve në det shërbeu si një homazh i heshtur për viktimat.

Ministrja Ismaili theksoi se kjo është një plagë që vijon të dhemb për qytetin, por sipas saj, harresa është edhe më e rëndë se vetë ngjarja. Ajo nënvizoi rëndësinë e përkujtimit të përvitshëm, si një mënyrë për të mos lejuar që tragjedi të tilla të përsëriten më në të ardhmen. Po ashtu, në këtë përkujtimore kanë qenë prefekti i qarkut të Vlorës, Evis Allushi, kryetarja e bashkisë, Brunilda Mersini, ndërkohë që dhe këngëtarja Xhesika Polo ka kënduar një këngë vaji në përkujtim të viktimave.

Nga ana tjetër, familjarët e viktimave shprehën dhimbjen dhe zhgënjimin e tyre, duke e cilësuar tragjedinë si një ngjarje që mund të ishte shmangur. Ata deklaruan se vijojnë të përballen me pasoja të rënda psikologjike dhe se kërkimi për drejtësi ka qenë i gjatë dhe i lodhshëm.

Sipas tyre, vendimet e dhëna nga drejtësia italiane nuk kanë reflektuar plotësisht të vërtetën dhe kanë qenë të padrejta.

Ngjarja tragjike ndodhi më 28 mars 1997, kur një anije shqiptare me 115 persona në bord u përplas dhe u përmbys në kanalin e Otrantos gjatë një operacioni të forcave detare italiane.

Si pasojë, humbën jetën 81 persona, mes tyre edhe fëmijë të moshave shumë të vogla, nga 3 muajsh deri në 69 vjeç, të cilët kërkonin një jetë më të mirë përtej brigjeve shqiptare, në një kohë kur vendi ishte përfshirë nga trazira të thella.

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Detaje \ E detyroi të gjunjëzohej dhe më pas e qëlloi , ish-partneren e tij 45-vjeçare

Pamjet e sigurisë kanë regjistruar lëvizjet e 48-vjeçarit para krimit. Policia po heton kërcënimet, plumbat…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Arrestimi i dy personave, Po hetohet edhe një grup tjetër kriminal në zonën e Sukthit

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me operacionin e një ditë më parë, ku…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Aksidentohen tre makina në autostradën Levan-Tepelenë, një person i plagosur

Një aksident automobilistik është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në aksin e autostradës Levan-Tepelenë.…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Pesë kombinime ushqimesh që po dëmtojnë në heshtje shëndetin tuaj

Djathë dhe krisurë, peshk me patate të skuqura, salsiçe me pure patatesh. Disa ushqime thjesht…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Arrestohet 40-vjeçari në Palasë, i gjendet armë zjarri dhe municion

Një 40-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia në Palasë, pasi dyshohet se ka dhunuar…

LEXO ME SHUME