Dosja AKSHI/ Ermal Beqiri kërkon sërish lirimin nga burgu në Francë, vendimi pritet të premten
Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiri, i arrestuar në Francë dhe i kërkuar nga drejtësia shqiptare në kuadër të dosjes “AKSHI”, ka kërkuar sërish lirimin nga burgu. Ai kërkon të qëndrojë në Francë, ndërsa vendimi i gjykatës për kërkesën e tij pritet të shpallet të premten.
Gazeta franceze “Courrier Picard” i ka kushtuar një artikull çështjes së biznesmenit shqiptar, i cili vijon të mbahet në burgun e Beauvais.
Sipas medias franceze, Beqiri është paraqitur sërish përpara dhomës së hetimeve të Gjykatës së Apelit në Amiens, ku ka kërkuar lirimin. Gjykata pritet të shprehet të premten për kërkesën e tij të re.
Çështja lidhet edhe me kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku ai kërkohet nga drejtësia në kuadër të një hetimi që lidhet me korrupsionin.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e mediave franceze është sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 2,1 milionë euro. Në fokus të hetimeve është edhe një kështjellë në departamentin Oise, në veri të Francës, e lidhur me pasuritë që po shqyrtohen nga autoritetet.
Ndërsa Beqiri vijon të qëndrojë në burg, vendimi i pritshëm i gjykatës franceze do të përcaktojë nëse ai do të përfitojë lirinë në këtë fazë të procedurës. Paralelisht, mbetet për t’u trajtuar kërkesa e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij.
Procedurat gjyqësore në Francë vijojnë, ndërsa vendimi për kërkesën e re për lirim pritet të jetë zhvillimi i radhës në këtë çështje.
