Operacioni “Return”/ I vendosën eksploziv makinës së administratorit të Shushicës, arrestohen dy persona në Vlorë
Policia e Vlorës ka zbardhur vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e administratorit të njësisë administrative Shushicë. Në kuadër të operacionit të koduar “Return”, janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirjen në ngjarjen e ndodhur më 19 tetor në fshatin Llakatund.
Në pranga kanë rënë Sh. M., 41 vjeç, dhe E. S., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Sipas hetimeve, dyshohet se dy të arrestuarit, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë vendosur lëndë plasëse në automjetin e I. B., 29 vjeç, administrator i njësisë administrative Shushicë.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 02:50 të 19 tetorit. Shpërthimi shkaktoi dëme materiale në automjet, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Operacioni u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, pas një pune hetimore për identifikimin e autorëve të dyshuar.
Ndërkohë, hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.
