Presidenti Meta ka risjellë edhe njëherë në vëmendje turin e hiking në malet e Shqipërisë gjatë verës.
Teksa dekoroi “Shoqatën Dibrane”, Meta risolli në vëmendje ngjitjen në malin e Korabit.
Meta: Jam shumë i lumtur që u ngjita në majën e Korabit, sepse nga Korabi krijon një vizion më strategjik. Jo për Dibrën e Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.
Meta zbuloi se ngjitja në Korab i mësoi dy gjëra të rëndësishme.
Meta: E para, mësova që Korabi nuk ka vetëm majën më të lartë, por ka 3 ose 4 majat më të larta të Shqipërisë e pastaj vjen Jezerca. Së dyti, mësova diçka tjetër për të cilin u habita, kur lexova atje 2764 metra, sepse ne e kemi lexuar gjithmonë shifrën 2751 metra i lartë. Pra, Korabi ishte “rritur” kështu që kjo është shenjë e mirë, sepse më mirë të rritet mali se sa të zbresë, aq më tepër që edhe unë vij nga një trevë malore dhe kam dëgjuar shpesh atë urimin që bëhet ‘malet tona më të larta’. Kështu që ju uroj juve, i uroj Dibrës dhe gjithë shqiptarëve malet më të larta!