Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në fshatin Gjormë të Vlorës. Mësohet se një 50-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një granate. Policia e raportoi fillimisht si shpërthim nga një bombol gazi, por të dhënat nga vendngjarja sqarojnë se ka shpërthyer një granatë e cila gjendej në oborrin e banesës së tij. Policia ka shkuar në vendngjarje pas telefonatës së fqinjit, por fatkeqësisht 50-vjeçari ka humbur jetën rrugës për në spital.
Duke shkuar për të parë oborrin dhe shpendët (pulat) diçka ka shpërthyer. Edhe pse policia filimisht është shprehur se shpërtheu një bombol gazi burime bëjnë me dije se dyshimet mund të jenë edhe për lëndë plasëse.
Sipas burimeve nga policia dhe grupi hetimor lënda plasëse ka qenë në oborr. Grupi hetimor është duke hetuar për çfarë lënde plasëse bëhet fjalë, për ndonjë granatë të vjetër apo nëse 50-vjeçari Durmish Glluçaj kishte fshehur ne oborrin e tij lëndë plasëse.
Selenicë, Vlorë/Informacion shtesë
Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, sipas të cilit, një shtetas njoftoi sallën operative të DVP Vlorë, se në banesën e fqinjit të tij, shtetasit D. G., kishte shpërthyer një bombol gazi dhe si pasojë e shpërthimit, shtetasi D. G. humbi jetën, gjatë rrugës për në spital, ju informojmë se:
Nga veprimet paraprake hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezulton se vendi i kësaj ngjarjeje nuk është brenda banesës së shtetasit D. G., por në territorin e jashtëm të banesës së këtij shtetasi.
Grupi hetimor dhe ekspertët xhenierë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën intensive për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje, për të përcaktuar çfarë ka shpërthyer, si dhe për të përcaktuar shkakun e shpërthimit.
Në vijim do të informoheni për më shumë detaje mbi këtë ngjarje.