Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen e 55-vjeçarit Lazër Arraj, e ndodhur një ditë më parë në fshatin Shosh të Dukagjinit. Policia thekson se ngjarja e rëndë ka ndodhur, për shkak të konflikteve të mëparshme mes familjeve. Për vrasjen e 55-vjeçarit është arrestuar 26-vjeçari Marash Arraj, banues në fshatin Shto i Ri, Shkodër, i cili është kushëriri i viktimës.
Ndërkohë, gjatë orëve të paradites së sotme policia shoqëroi dhe babanë e vëllanë e autorit, pasi dyshohet se janë autorët e krimit. 55-vjeçari Lazër Arraj kishte shkuar në fshat për të mbledhur ushqimet e dimrit, por është ekzekutuar me armë zjarri. Ai është qëlluar për vdekje, teksa ka qenë duke transportuar me kuaj disa produkte ushqimore nga arat e fshatit drejt rrugës kryesore të makinave.
Njoftimi:
Shkodër
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur dje, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi L. A.
Arrestohet autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje.
Nga strukturat e D. V. P. Shkodër nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë një pune intensive hetimore dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative është bërë dokumentimi ligjor dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit:
- A., 26 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër.
Arrestimi i tij u bë pasi dje më datë 21.10.2019 dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin L. A., në fshatin Palaj, Njësia Administrative Shosh, Shkodër. Kjo ngjarje dyshohet të ketë ndodhur për konflikte të mëparshme mes familjeve. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.