Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka sinjalizuar se Ukraina po përgatitet për një rezistencë të fortë përballë një ofensive të pritshme ruse në shkallë të gjerë në lindje të vendit.
“Ne nuk do të heqim dorë nga territori ynë”, tha Zelensky për CNN, duke shtuar se lufta për rajonin e Donbass mund të formësojë rezultatin e luftës në tërësi, që do të thotë se Ukraina duhet të qëndrojë në terren.
“Dialogu me Rusinë është i rëndësishëm, nëse do jetë i mundur, por është e vështirë duke pasur parasysh mizoritë e kryera në Bucha dhe pjesë të tjera të vendit. Shoqëria jonë nuk dëshiron që ne të vazhdojmë bisedimet”, tha Zelensky duke shtuar se kjo ishte një “tragjedi e madhe”.
Zelensky gjithashtu i bëri thirrje sërish Perëndimit që të dërgonte sa më shpejt të ishte e mundur pajisje të tjera ushtarake për ushtrinë ukrainase.
