Categories Lajme

Zgjedhja e kreut të BKH-së, SPAK hap garën, afati dhe kriteret për aplikantët

Prokuroria e Posaçme ka hapur garën për pasuesin e Aida Hajnës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Aplikantët duhet te dorëzojmë dokumentet pranë sekretarisë së SPAK deri më datë 7 maj.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar njofton çeljen e procedurës së riemërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në përputhje me ligjin nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” neni 33 pika 2, ligjin nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, neni 42 germa (a), me urdhërin nr.11794, datë 07.04.2025, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka ngritur Komisionin e Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i përbërë nga z.Altin Dumani, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme dhe prokurorët e posaçëm z.Arben Kraja e z.Behar Dibra.

Referuar dispozitave ligjore përkatëse, të drejtën për të aplikuar në pozicionin e Drejtorit të BKH-së, e kanë vetëm kandidatët që janë shtetas shqiptar, që gëzojnë cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotësojnë kriteret si vijon:

ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barasvlershme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor;
ka eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;
ka përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda;
nëse ka qenë apo është punonjës i Policisë së Shtetit, të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”;
të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit në zbatim të atij ligji;
nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit;
ka marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi;
ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit;
të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;
në periudhën 29.11.1944 – 2.7.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme;
të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes;
Kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm brenda datës 07 maj 2025 që vërteton plotësimin e të gjitha kushteve që parashikohen në nenet 34 dhe 38 të ligjit nr.95/2016.

Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Sektorit të Arkiv-Protokollit të Drejtorisë së Dokumentacionit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Posaçme në një zarf të mbyllur, i cili i drejtohet Komisionit të Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Referuar ligjit nr.95/2016, procesi i riemërimit do të kryhet duke kaluar në shtatë (7) faza si vijon:

Shqyrtimi i aplikimit;
Testi i arsyetimit logjik;
Kontrolli mjekësor;
Testi fizik;
Ese me shkrim;
Intervistë;
Verifikim figure, deklarim i aseteve dhe testi i poligrafit;
Komisioni i Përzgjedhjes pasi verifikon dhe vlerëson nëse përmbushen kriteret sipas neneve 34 dhe 38 të ligjit nr.95/2016, vendos nëse do të vijojë ose jo me rekomandimin për procedurën e riemërimit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Muzika e lartë pas orës 24:00, gjobitet me 2 mln lekë pronari i ‘beach bar’ në Himarë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në zbatim të planit të posaçëm të masave për…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Horoskopi ditor për neser, e hënë 27 korrik 2026

Dashi Shume planetë do kenë ndikim te madh sot ne jetën tuaj ne çift. Ata…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Pogradec, ra në kontakt me rrymën elektrike humb jetën elektricisti , rreth 60 vjeç

Një ngjarje e rëndë është regjistruar e sot në fshatin Zërvaskë të Pogradecit, ku një…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shkodër/ tre të arrestuar (EMRAT)

Tre persona janë arrestuar në Shkodër për armë pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zbardhen negociatat mes shefit të policisë së Roskovecit dhe Refit Buzit gjatë lirimit të 24-vjeçares

Janë zbardhur momentet e negociatave mes Policisë dhe 35-vjeçarit Refit Buzi, i cili mbajti peng…

LEXO ME SHUME