Fasha orare e shpërndarjes së pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit tashmë është zgjeruar edhe me dy orë të tjerë, pra nga ora 08:00-16:00. Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, përmes një videomesazhi ka bërë të ditur se, prej dy javësh zyrat e shpërndarjes së dokumenteve biometrike kanë vijuar shpërndarjen e pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit. Voda shton se orari i punës do të jetë nga ora 08:00-16:00 dhe jo më deri në 14:00, siç ishte në dy javët e para. “Ministria e Brendshme prej dy javësh ka filluar shpërndarjen e dokumenteve biometrike, pra kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, në të gjitha zyrat e shpërndarjes në territorin e Shqipërisë. Dua të them që deri tani shpërndarja e këtyre dokumenteve ka vijuar normalisht”, – theksoi Voda. “Qytetarët lajmërohen përmes një sms-je për orarin që duhet të paraqiten në zyrat e aplikimit për të tërhequr pasaportat apo kartat e identitetit, por ju lutem duhet të respektoni dhe masat mbrojtëse, sipas mesazhit që ju vjen në telefonin tuaj. Qytetarët duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse, doreza dhe të ruajnë distancën në zyrat ku paraqiten për kartat e identitetit apo pasaportat. Gjatë këtyre dy javëve fashat e orarit kanë qenë 08:00 deri në 14:00, por do tashmë duke nisur nga kjo javë, fasha e orarit do të nisi në orën 08:00, deri në 16:00 në mënyrë që të kemi mundësi për t’u gjendur më pranë qytetarëve dhe brenda një afati të shkurtër për të shpërndarë sasinë e mbetur e të kartave të identitetit dhe pasaportave”, – tha Voda. Sipas saj, vetëm duke respektuar masat e sigurisë do mundet që të rinisë dhe procesi i aplikimit për rinovimin e pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit. “Ju lutem qytetarëve të respektojnë masat mbrojtëse pasi vetëm nëse ky proces do të përfundojë me sukses do kalojmë në një fazë të dytë për rinisjen e aplikimit apo rinovimit të dokumenteve biometrikë”, – nënvizoi Voda.
Categories
Lajme