Ervis Martinaj, personi i kërkuar ndërkombëtarisht është denoncuar nga familjarët se ka humbur kontaktet me ta prej disa ditësh.
Por kush është Ervis Martinaj, personi të cilin policia po e kërkon prej kohësh.
Për herë të parë ai u përmend në lajmet e kronikave të zeza në tetor të 2013-ës. Emri i tij u lakua pas vrasjes së Elvis Doçit në zonën e ‘Komunës së Parisit’, një biznesmen ky në fushën e lojërave të fatit.
Martinaj u hetua nga policia për dyshime konflikti me Doçin, pasi i shumëkërkuari ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove.
Në nëntor të 2015-ës, emri i tij u përmend në vrasjen e Enton Nikajt në zonën e Linzës, në parkingun e një restoranti të njohur. Sherri për një borxh të pakthyer përfundoi me shkrepjen e pistoletës që i mori jetën 30-vjeçarit. Për këtë ngjarje u dënua Emiljano Tasho, një nga shoqëruesit e Ervis Martinaj.
Emri i tij u lakua edhe për vrasjen e bankierit Artan Santo. Gjatë kontrollit në magazinën e tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra të ngjashme me ato që përdorën vrasësit e bankierit, por ai nuk u implikua në këtë rast, sepse nuk kishte prova.
Po ashtu Martinaj ishte i përfshirë në vrasjen e ndodhur në Bllok, në tetor të 2018-ës. Pas kësaj ngjarjeje ai u arrestua, por më pas u la i lirë pasi pagoi një shumë të madhe parash.
Martinaj gjithashtu ishte subjekt i operacionit “ Forca e Ligjit ”, ku iu kërkua vetëdeklarim i pasurisë.
Emri i Ervis Martinajt, doli në skenë edhe pas dëshmisë së vrasësit me pagesë Nuredin Dumani. Ai rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro, për eliminim e Endrit Dokles, numrit 2 të Bandës së Durrësit
