Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, strukturë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes i ka drejtuar sot dy shkresa respektive 61 bashkive, 12 prefekteve dhe Policisë së Shtetit lidhur me situatën e zjarreve në vend. “Sipas të dhënave paraprake, kjo periudhë është problematike për zjarrvënien e qëllimshme për marrjen e masave për përballimin e zjarreve. Zjarret kanë krijuar situata emergjente ndaj duhet bashkërendim dhe koordinim strukturash”, thuhet në këtë letër. AKMC u bën thirrje bashkive të marrin masa të plota për parandalimin dhe minimizimin e dëmeve nga zjarret. Po ashtu, AKMC i kërkon prefektëve të përdorin të gjitha kapacitetet operacionale në nivel qarku. “Pushteti vendor duhet të japë informacion në kohë reale për shfaqjen e vatrave të zjarrit. Bashkitë duhet të zhvillojnë trajnime detyruese për punonjësit për situatat e zjarreve, si dhe të mbajnë në gatishmëri dhe të përdorin të gjitha kapacitetet zjarrfikëse”, thuhet në këtë letër. Në bazë të ligjit, AKMC thekson se “bashkitë, vullnetarët dhe vetë qytetarët, janë kapacitetet për shuarjen e vatrave të zjarrit”.
Po ashtu, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile i ka nisur një shkresë edhe Policisë së Shtetit, ku kërkohet nevoja emergjente për vënien para përgjegjësisë të zjarrvënësve. “Të merren masa për zbulimin e autorëve të zjarreve, qofshin ato me dashje apo dhe nga pakujdesia. Zjarrvënësit të ndëshkohen sipas përcaktimeve të Kodit Penal. Zbulimi i autorëve ul numrin dhe madhësinë e zjarreve. Ndëshkimi i autorëve ndërgjegjëson qytetarët se zjarrëvënia është krim”, thuhet në këtë letër. AKMC i kërkon Policisë, koordinim me pushtetin lokal dhe kryepleqtë për identifikimin e autorëve si dhe të ndiqen me prioritet zjarrvëniet duke informuar publikun për autorët e tyre.
