Pelikanët po qanin
Drejtësia është hyjnore; ajo rritet dhe zhvillohet brenda ndërgjegjes njerëzore. Sa më pranë natyrës të shkojmë, aq më të lirë, më të dashur dhe më aktivë jemi në mbrojtjen e habitatit që na rrethon. Madje, edhe në librat e shenjtë mësojmë se njeriu i përkryer duhet ta udhëheqë natyrën me dashuri, të kujdeset për familjen e tij dhe më pas për gjithë botën. Ky rend natyror, i vendosur si një ekuilibër i shenjtë, sot duket se është këputur nga babëzia, grykësia dhe xhelozia, të cilat në formatin e botës moderne marrin emrin e ftohtë dhe shkatërrues, korrupsion.
Ligji i natyrës kundrejt babëzisë njerëzore
Në botën shtazore, mbrojtja është një akt solidariteti i pastër. Kur një pelikan vëren një rrezik, ai fillon të përplasë sqepin mitik me shpejtësi, duke krijuar një zhurmë kërcitëse, ose e hap atë gjerësisht për t’u dukur më i madh përpara kërcënimit. Ky reagim përcillet menjëherë te tufa, e cila e kap sinjalin vizual dhe akustik pa asnjë vonesë. Nëse rreziku afrohet, një pjesë ose e gjithë tufa fluturon në mënyrë të sinkronizuar drejt ujërave të hapura ose një zone më të sigurt. Ekziston një ngjashmëri e jashtëzakonshme dhe rrëqethëse mes këtij instinkti mbrojtës të pelikanëve dhe asaj që po ndodh sot në Shqipëri.
Në afërsi të fshatit Zvërnec, vetëm 12 kilometra larg qytetit të Vlorës, një grup qytetarësh u ngrit për të kundërshtuar rrethimin e një zone në zemër të habitatit të pelikanëve, pyjeve dhe gjallesave që gjejnë strehë aty. Automjetet e rënda u dislokuan në Pishë Poro dhe Akërni, ndërsa telat me gjemba na rikthyen menjëherë në kujtesë hije të errëta që mendonim se i kishim lënë pas prej 36 vitesh. Përballë këtij rrethimi, qytetarët nisën të protestonin. Pas telave qëndronin “Neronianët”, të veshur me të zeza si në shenjë zie për identitetin e tyre të humbur njerëzor. Si hije pa fytyrë, ata tërhoqën zvarrë për disa metra një qytetar të thjeshtë. Gjithçka ndodhi në datën
Ky sinjal alarmi u përhap me shpejtësinë e dritës në rrjetet sociale, duke prekur zemrat e atyre që prej kohësh ndihen të pafuqishëm për të shprehur lirshëm mendimin e tyre. Atë ditë, “pelikanët po qanin” për atë që ishte mbarsur 36 vite më parë. Një shtatzëni e dështuar e tranzicionit tonë që polli vetëm derra; derra që u rrotulluan në llucën dhe llumin e pushtetit çdo katër vjet. Në fund, premtimet e tyre të bujshme e rikthyen shoqërinë në një sistem pasigurie, frike, krimi dhe degjenerimi institucional. Dhe ndërsa pelikanët ngrinin krahët për t’u larguar nga ky rrezik modern, njerëzit mbetën përballë pyetjes së vjetër ekzistenciale: Deri kur do të heshtim përballë shkatërrimit të shtëpisë sonë të përbashkët?
Triumfi i përkohshëm dhe vigjilenca
Megjithatë, përgjigjja erdhi nga sheshi i revoltës. Qytetarët e guximshëm, sidomos vajzat, djemtë dhe familjet e reja me fëmijët e tyre për dore, marshuan për 5 ditë rresht. Ata u treguan “derrave të pushtetit” se jo vetëm peizazhi natyror, por e gjithë Shqipëria është e përbashkët dhe nuk mund të tjetërsohet. Nga frika e këtij bashkimi, ata që fshihen pas noçkës së tyre të turpit u detyruan të hiqnin telat me gjemba, të çmontonin rrethimin dhe nxituan të premtonin se gjithçka po bëhej “për qytetarin”. Por, a mund të besohet vërtet kjo?
Historia na mëson se rrëshqitja e tyre në llum është e përsëritur, ndaj kjo tërheqje nuk është pendesë, por frikë përballë fluturimit të sinkronizuar të një populli që refuzon të pranojë rrethimin e lirisë së tij. Nga Deni Llanaj
