Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj deklaroi se po punojnë rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën me shpresë se lajmin e mirë do ta marrin para Krishtlindjeve. Ai foloi edhe për delegacionin e Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, i cili vizitoi Kosovën. “Po punojmë, javën e shkuar kemi pas delegacionin e Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, shpresoj që do të marrim lajmin e mirë para Krishtlindjeve, shpresoj, nuk është e konfirmuar, kemi punuar, kemi rënë dakord që mos të japim premtime mediale por po ecim në këtë drejtim”, tha ai.
Kosova i ka zbatuar të gjitha kushtet për liberalizim, por qytetarët po vazhdojnë të mos kenë të drejtë të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen. Për gati një dekadë politikanët kanë dhënë data të ndryshme të liberalizimit të vizave, mirëpo qytetarët e vendit edhe më tej vazhdojnë të mbesin të izoluar./KosovaPress/
