Punonjësit e Shërbimit Social Shtetëror janë angazhuar nga në të gjitha qytetet e prekura nga tërmeti veçanërisht në Thumanë, Durrës, Mamurras e Laç, në ndihmë të të prekurve nga tërmeti. Drejtoresha e SHSSH, Luneda Sufali ka qenë së fundmi në Shëngjin, ku stafi po jep mbështetjen ndaj banorëve të prekur nga tërmeti. Sipas saj, askush nuk duhet të ndjehet vetëm dhe se ndihma psiko-sociale po u ofrohet çdokujt që ka nevojë.
Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Sufali në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se “aktualisht në Lezhë, Durrës e Thumanë janë angazhuar psikologë, punonjës sociale si dhe mjekë të cilët po japin ndihmesën e tyre edhe për personat të cilët kanë probleme shëndetësore apo vuajnë nga një sëmundje e caktuar. Është siguruar furnizimi me ilaçe në mënyrë që të mos mungojë trajtimi për të sëmurët si dhe një përkujdesje e veçantë po jepet edhe për gratë shtatzanë.
Po kështu, punonjësit tanë janë angazhuar në shërbim 24 në të gjitha hotelet në Durrës, Lezhë si dhe tek çadrat ku ishin më herët në ndihmë të familjeve. Edhe për fëmijët po sigurohet trajtim i veçantë. Sipas saj, ministria e Shëndetësisë ka organizuar strukturat përmes Shërbimit Social Shtetëror, Agjencisë Shtetërore të Mbrojtjes të të Drejtave të Fëmijëve si dhe Urdhrit të Psikologut.
“Nga Shëngjini ku stafi i Shërbimit Social është pranë të prekurve të tërmetit nga Thumana, Durrësi, Mamurrasi e Laçi. Askush nuk është vetëm, jemi pranë tyre duke ofruar ndihmë psiko-sociale për të lehtësuar situatën traumatike që ky tërmet la pas”, -thotë Sufali.

