Floyd Mayweather i ka publikuar disa pamje nga një ditë e zakonshme nga jeta e tij. Me këtë dhuratë për tifozët e tij, ai e ka shfaqur jetën luksoze që bën, pas përfitimeve të mëdha që fiton nga meçet.41-vjeçari i pamposhtur, i cili së fundi doli nga pensionimi për ta zhvilluar një meç në Japoni, ku i fitoi 9 milionë euro, e dokumentoi ditën e martë për të gjithë ndjekësit në llogarinë e tij në Instagram, Ai e filloi gjithçka në vilën e tij luksoze në Las Vegas, ku edhe e prezantoi idenë e tij për ditën e martë, duke thënë: “Sot, unë do t’iu marrë me vete në botën time. Ju do të më ndiqni sot. Ejani pas meje”.
Mayweather, i cili kishte të veshur një bluzë që kushton 600 euro, nga kompania Versace, u shëtit për pak kohë në shtëpinë e tij luksoze para se të dilte jashtë. Pastaj, ai e zgjodhi veturën e tij, Rolls Royce Cullinan, e cila kushton 270 mijë euro. Me këtë veturë, ai shkon deri në aeroportin e Las Vegasit, ku ishte duke e pritur aeroplani i tij privat. Mayweather e incizoi edhe brendësinë e këtij aeroplani për ndjekësit e tij, para se të nisej për në Los Angeles.
Sapo arriti në destinacionin e tij, amerikani e shfrytëzoi një tjetër makinë luksoze për të shkuar në stadiumin Staples Center, ku e ndoqi ndeshjen e Los Angeles Clippers kundër Charlotte Hornets. Edhe ish-rivali i Mayweatherit, Manny Pacquaio, ishte i pranishëm në stadium për atë ndeshje.