Barcelona e zyrtarizoi transferimin e Philippe Coutinhos më 6 janar të vitit 2018, gjashtë muaj më vonë sesa që kishim menduar ta sillnin atë në skuadër. Mirëpo, viti i tij i parë me Barcelonën ka qenë mjaft i vështirë. Coutinho u transferua te klubi katalonas për 120 milionë euro, si dhe një shtesë prej 40 milionë eurosh. Kjo shumë e shpenzuar për të e bën brazilianin lojtarin më të shtrenjtë në histori të klubit.
Është e logjikshme të presësh shumë nga Coutinho për shkak të shumës që u shpenzua për të dhe ndoshta ai nuk ka arritur të performojë në atë nivel që pritej. Megjithatë, ai është vetëm 26-vjeçar dhe e ka dëshmuar se ai mund të jetë vendimtar në ndeshje. Por, mungesa e vazhdimësisë e ka bërë dallimin mes tij dhe superlojtarëve të tjerë. Mirëpo, tani për tani, përvjetori i tij i parë vjen në një kohë të shumë pasigurive pasi që ai e ka humbur vendin në formacionin e parë të trajnerit Ernesto Valverde. Lojtari i dytë më i shtrenjtë në klub, Ousmane Dembele e ka zënë vendin e tij përkrah Lionel Messit dhe Luis Suarezit.
Ka pasur disa përpjekje për ta futur ish-yllin e Liverpooli në mesfushë, ku ai e ka lirinë ta drejtojë ndeshjen, mirëpo në vend të këtij opsioni, Valverde ka preferuar të luaj me më shumë stabilitet, duke i zgjedhur Arturo Vidalin, Ivan Rakiticin e Sergio Busquets në qendër të fushës. Në një moment vendimtar të sezonit, Barcelona do të ketë nevojë për cilësinë e Coutinhos dhe klubit nuk i përshtatet që një lojtar si Coutinho, për të cilin ka shpenzuar 160 milionë euro, të mbetet në bankën rezervë. Gjatë vitit të tij të parë në Katalonjë, braziliani ka luajtur në 44 ndeshje, duke i shënuar 15 gola dhe duke i bërë 10 asiste. Megjithatë, tifozët mendojnë se ai mund të bëjë edhe më shumë, edhe sa i përket goditjeve pasi që ai ka një mesatare prej një goditje për ndeshje.