Ditën e sotme, Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka nisur me një minutë heshtje për jetët e humbura nbga COVID-19 në Shqipëri.
Zoti i dhëntë paqe shpirtrave të tyre dhe i ngushëlloftë familjet e tyre.Sikurse e gjithë Europa e di tashmë, kjo sprovë e vështirë për mbarë njerëzimin shënoi në Shqipëri numrin më të lartë të jetëve të humbura në kontinent në raport me popullsinë.
Një bilanc tragjik që bëhet edhe më pikëllues prej indinjatës që lind vetvetiu ku lotëve dhe dhimbjeve së mijëra familjeve iu kundërvihet buzëqeshja e shtirur e propagandës me të cilën regjimi lau duart për përgjegjësinë e tij. Kur shqiptarët kishin nevojë iu ofroi vetëm propagandë dhe gjoba”, tha kryedemokrati, pas përfundimit të 1 minutëshit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën e tij, gjatë mbledhje së sotme, sulmoi kryeministrin Edi Rama. Ai tha se Shqipëria me Ramën në krye, është e para në listë për korrupsion.
“Kemi denoncuar korrupsionin marramendës të këtij regjimi, që duke përfituar nga vakumi i drejtësisë, e çoi Shqipërinë në një tatëpejtë të frikshme, duke e renditur të parën në Europë për korrupsion dhe të dytën në botë për ryshfetin që shërbëtorët dhe ortakët e Ramës u rrëmbejnë qytetarëve dhe sipërmarrjeve.
Miliarda euro dëme ekonomike, të paktën 7 sipas raporteve të KLSH-së, që mund të ishin përdorur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, shkuan në xhepat e regjimit Rama-Doshi.
Nga të dhënat e Bankës Botërore dhe BERZH ryshfeti që merr ky regjim u kushton bizneseve shqiptare 550 milionë euro në vit, ose 1.5 milionë euro në ditë, një shumë tre fish me e lartë se ajo që raportohej në 2013-ën.
Para që mund të shkonin për shkolla, spitale, rrugë, paga më të mira për mësues dhe mjekë, pensione më të dinjitetshme për të moshuarit tanë që meritojnë një pleqëri të bardhë, larg shqetësimeve për faturat përherë e më të kripura të dritave dhe ujit, larg ankthit për ilacet që nuk mund të përballojnë dhe tryezës që bëhet gjithmonë e më e varfër”, tha Basha.
