Kieran Trippier ka rrëfyer se si është të luash kundër Lionel Messit, të cilin ai e konsideron më të mirin në botë, para ndeshjes mes Barcelonës dhe Atletico Madridit në kuadër të La Ligës në Wanda Metropolitano. Anglezi Kieran Trippier kishte qenë dëshmitar i talentit të pesë-herë fituesit të Topit të Artë kur Barcelona ishte përballë me Tottenhamin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, transmeton Gazeta Express. Barcelona e kishte mposhtur Tottenhamin në stadiumin e vet me rezultat 4:2, ndërsa Messi i kishte shënuar dy gola dhe e kishte shkatërruar vazhdimisht repartin e mbrojtjes të klubit londinez gjatë 90 minutave lojë.
Trippier u largua nga Tottenhami dhe iu bashkua Atletico Madridit gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa tani është duke u përgatitur të luajë sërish kundër argjentinasit të dielën, në kuadër të La Ligës.
“Të gjithë e dinë sa i mirë është ai, por unë mendoj se ai ishte në superformë atë natë. Ai i shënoi dy gola dhe e goditi shtyllën e portës rreth katër herë. Ai ishte i pabesueshëm”, ka thënë anglezi, në një intervistë të dhënë për The Athletic. Kur u pyet se si është të luash kundër Messit si mbrojtës, Trippier shtoi: “Është e çuditshme në njëfarë mënyrë. Ai e kalon një pjesë të madhe të ndeshjes duke ecur e duke ecur. Për shembull kur luan kundër Sadio Manes të Liverpoolit, nëse ia largon sytë për pak sekonda, ai do të ketë vrapuar prapa shpinës”.
“Por, me Messin, ti mund të shikosh katër herë dhe ai do të jetë ende aty. Është e çuditshme. Një pjesë të madhe të kohës ai vetëm ec dhe ec – dhe pastaj, para se ta kuptosh, ai do të ketë shënuar gol”. “Kam luajtur disa herë kundër tij dhe ai di shumë mirë t’i shfrytëzoj hapësirat e vogla në fushë. Qysh para se Barcelona t’i ketë bërë tre pasime, ai e di ku do të përfundojë topi. Është e mrekullueshme sa i mençur është ai. Edhe kur është duke ecur, ti duhet të jesh i vetëdijshëm. Ai është i pabesueshëm, më i miri ndonjëherë”. /Gazeta Express/
