Categories Lajme

2 vrasje në 24 orë/ Si Shqipëria u gjend mes ngjarjeve tragjike që pllakosën vendin

2 vrasje në 24 orë! Vendi ynë është gjetur mes dy ngjarjeve tragjike  .

Në Gramsh, pranë shkollës “Asllan Shahini”, ditën e djeshme humbi jetën 15-vjeçari Fatjon Bici, pasi nuk i mbijetoi plagëve të marra nga sulmi me thikë, pas një sherri mes adoleshentësh.

Mësohet se adoleshentët e përfshirë në sherr janë të moshave 14 dhe 15 vjeç. Sakaq, bëhet me dije se Fatjon Bici është qëlluar me thikë në zemër.

Së bashku me të u plagos dhe kushëriri i tij, 15-vjeçari M.L.

Njoftimi i policisë: Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, Pasurisë të miturve dhe Dhunës në Familje të DVP Elbasan, në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Xh. Ç., 15 vjeç, O. Ç, 14 vjeç, E. K., 15 vjeç dhe S. M., 16 vjeç. Më datë 16.05.2023, rreth orës 13:30, këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, në lagjen “Sporti 2”, Gramsh, në rrugë, kanë plagosur me mjete prerëse (thika), shtetasit e mitur F. B., 16 vjeç dhe M. L., 15 vjeç. Nga dëmtimet e marra, shtetasi F. B. ka humbur jetën, ndërsa shtetasi M. L. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 mjete prerës (thika), 2 përforcues grushti dhe 5 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Fatjon Bici

Sipas burimeve konflikti ka filluar 2 javë më parë tek një kënd lojërash në Gramsh për shkak të rrjeteve sociale.

Shkolla 9-Vjecare “Asllan Shahini” në Gramsh ka reaguar në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur mesditën e djeshme, ku pas një sherri mes nxënësve të klasës së 9-të, mbeti i vrarë 15-vjeçari.

Në reagimin e shkollës thuhet se Fatjoni nuk ka qenë fare protagonist i sherrit të ndodhur, që kishte nisur fillimisht në rrjetet sociale dhe më pas në rrugë, por kishte ndërhyrë për të larguar nga aty kushëririn e tij, duke gjetur edhe vdekjen tragjike.

I mituri kishte mbaruar orën e 6 të mësimit, dhe pasi ishte larguar, ka pyetur rojen e shkollës, nëse e motra e tij kishte ikur drejt banesës së tyre, pasi e kishte atë nën përkujdesje.

Fakti edhe më tragjik është që i mituri dhe familja e tij kishin plotësuar të gjitha dokumentacionet dhe në javët e ardhshme do të shpërnguleshin përfundimisht nga Shqipëria, drejt shtetit grek për një jetë më të mirë.

Reagimi i shkollës 9-vjeçare në Gramsh: Jemi thellësisht të tronditur,nga ngjarja e rendë që ndodhi sot në qytetin tonë,në të cilën humbi jetën Fationi, nxënës në klasën e IX. Fationi mbaroi mësimin, si çdo ditë tjetër, u interesua duke pyetur rojen e shkollës, se a ishte larguar nga shkolla motra e tij më e vogël, nxënëse në klasën e IV, e pasi u sigurua se ajo ishte larguar, u nis për në shtëpi. Në mes të lagjes,në mes të ditës, moshatarë të tij,nxënës edhe këta nga shkolla e fshatit Drize, konfliktohen për biseda banale në rrjetet sociale, dhe konflikti kthehet në tragjedi. Fationi u ndodh rastesisht aty, duke mos qënë ai pjesë e konfliktit në rrjetet sociale, por një i afërmi i tij.  Ai u përpoq t’i ndante në grindje e sipër, por përfundoi viktima e këtij sherri banal. Fationi u nis sot drejt Parajsës… Do na mungosh të gjithëve, Fation i dashur! Të qoftë dheu i lehte, o engjëll!

Ditën e sotme, policia ka arrestuar 4 adoleshentët të përfshirë në konflikt: Xh.Ç. 15 vjeç, O.Ç 14 vjeç, E.K 15 vjeç dhe S.M. 16 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 mjete prerës (thika), 2 përforcues grushti dhe 5 celularë.

Në vendngjarje, është vendosur një tufë me lule…

Edhe më e rëndë është situata në shkollën “Asllan Shahini” ku dy të rinjtë mësonin. Heshtja ka pllakosur ditën e sotme institucionin arsimor.

Në bankën ku i ndjeri ulej, shokët e klasës kanë vendosur një buqetë me lule. Ata kanë shpërthyer ne lot, aq sa as stafi pedagogjik nuk mundej t’i qetësonte.

Thonë se shoku i tyre i klasës ishte i qetë dhe jo problematik. Nuk e besojnë që ai nuk është më mes tyre. Sipas dëshmive të mëtejshme, në vendin e ngjarjes, vetëm dy kushërinjtë ishin nxënës të shkollës “Asllan Shahini”, katër fëmijët e tjerë ishin banues në fshatin Cërunjë.

Ditën e sotme, një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Kusarth të Elbasanit ku një 58-vjeçar ka vrarë kunatën e tij. Shtetasi Tefik Tashi është identifikuar si autor, teksa ka qëlluar me sëpatë kunatën e tij, Alma Qejvanin, e cila është dërguar në spital, ku si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën.

Tefik Tashi ka qenë nën ndikimin e alkoolit gjatë kryerjes së veprës mizore, vrasjes me sëpatë, që ai bëri ndaj kunatës së tij 44-vjeçare.

Tefik Tashi dyshohet se e ka sulmuar, pasi 44-vjeçarja e ka ofenduar.

Motra e të ndjerës, Ema Qejvani ka treguar që bashkëshorti i saj 58-vjeçari Tefik Tashi, ka pasur dhe më parë probleme dhe debate me 44-vjeçaren. Megjithatë ajo tregon që arsyeja ka qenë mos-hapja e telefonit nga Alma ndaj Tefik Tashit. 58-vjeçari pak ditë më parë, pasi ishte kthyer i dehur në banesë ka filluar një konflikt me Almën. Një ngjarje e papritur shprehet e motra e 44-vjeçares, sakaq kërkon të vendoset drejtësia.

Ema Qejvani: Na lini rehat, kemi hall, e kemi thënë një herë. Ishte nxehur se nuk hapi telefonin, unë nuk kisha telefon, isha bashkë me motrën. Jetoj me bashkëshortin. Ishim të dyja te arat. Ishte nxehur pse nuk hapi telefonin, asgjë tjetër. Ziheshin dhe më parë për gjëra koti, jo për gjëra të rëndësishme. Sherre për punët e shtëpisë. Në shtëpi ndodhin lloj-lloj gjërash. Me mua nuk ka pasur konflikte. Një ditë kishte pirë, e shau keq, u zunë dhe motra prandaj nuk e hapi telefonin. Ka disa ditë, rreth dy javë. Kemi dy vite të martuar, jetojmë këtu. Bashkëshorti merret me pastrim. Të dyja ishim së bashku. Ai nuk mbahej më, ishte i fortë. Nuk kishte asnjë njeri aty. Nuk e di kush i njoftoi, erdhi si fillim një polic dhe pastaj ambulanca. Kërkoj drejtësi, dënimin deri në fund se e ka hak. Ishte e papritur kjo gjë, punë telefoni pse nuk e hapi, ishte nxehur keq. Ai erdhi nga puna, para kësaj, do ketë qenë te shtëpia kur mori.

Telefonin të cilin përmend e motra e viktimës, ka mbetur në vendngjarje dhe se policia fillimisht nuk e ka sekuestruar.

Disa nga banoret e zonës në deklaratë për media kanë treguar detaje nga ngjarja. Të pyetur nga gazetarët, se si ka ndodhur krimi, ato tregojnë që nuk e kanë parë ngjarjen dhe se nuk dinë ndonjë arsye që mund të ketë çuar në rrethana të tilla, sakaq tregojnë që të dyja motrat nuk kanë pasur shumë kontakte me banorët e fshatit, madje fqinjët kanë ditur shumë pak rreth tyre.

Si ndodhi krimi?

Nuk e pashë krimin unë, dëgjova zhurmë, ajo gruaja kërkoi ujë, kërkoi ndihmë. Dola ia lashë ujin te porta, erdhi e mori vetë ajo. Nuk shkova atje afër. Kishte gjak nga surrati. Njëra ishte shtrirë. Njëra kishte gjak nga surrati, tjetra ishte shtrirë. Këto janë vajza të mira, shikonin punën e tyre. Thjesht i çova ujë, nuk di gjë më shumë. Ishte gjakosur nga fytyra dhe i thashë eja merre vetë kovën, erdhi dhe e ia hodhi nga trupi.

(Xh.H/FaxWeb.al)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Horoskopi ditor për nesër, e Hënë 17 Shkurt 2025

Dashi Dite përgjithësisht e qete kjo e sotmja për te dashuruarit. Duhet thënë se do…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Aksident në aksin Lezhë-Shkodër, mbetet e plagosur një vajzë

Një aksident ka ndodhur në aksin Lezhë-Shkodër, pranë kryqëzimit të fshatit Mabë. Sipas asaj që…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Trafik droge e grup kriminal, arrestohet në Pogradec 43-vjeçari i kërkuar në Itali

Një 43-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar ka rënë në prangat e policisë. A2 CNN…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Përkujtimi i 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Qendrën Islamike Shqiptare në Harper Woods, Michigan

Në një atmosferë të mbushur me ndjenjë kombëtare dhe krenari, Qendra Islamike Shqiptare në Harper…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Arrestimi i Veliajt, zbulohen kompanitë dhe OJF-të që përfituan 89 milionë euro të taksapaguesve të Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua të hënën me urdhër të Gjykatës së…

LEXO ME SHUME