Categories Opinion

50 hijet e të verdhës

Jean Pisani-Ferri

Gjashtë javë pasi ata filluan të tronditin politikën franceze dhe një muaj pas shpërthimit të dhunës në Champs Elysees, jelekverdhët mbeten si tepër të dukshëm ashtu edhe tepër enigmatikë. Çështja tani është nëse lëvizja do të gjejë një zë politik dhe, nëse ndodh kështu, cili do të jetë ai Kush janë jelekverdhët? Cilat janë rrënjët e vërteta të kryengritjes së tyre? Dhe çfarë duan ata? Gjashtë javë pasi ata filluan të tronditin politikën franceze dhe një muaj pas shpërthimit të dhunës në Champs Élysées, këto pyetje vazhdojnë të debatohen ende në Francë.

Jelekverdhët janë si shumë të dukshëm ashtu edhe shumë enigmatike. Rebelimi i tyre filloi me okupimin e rreth rrotullimeve në të gjithë vendin, por ai arriti kulmin me demonstratat e dhunshme në Paris. Ata kanë ruajtur mbështetjen e 70% të popullit dhe afërsisht rreth 3 milionë njerëz janë regjistruar për “Numërimin zyrtar të jelekverdhëve” në Facebook, por protestat e tyre s’i kaluan kurrë 300,000 pjesëmarrës – shumë më pak se në protestat e kaluara të organizuara nga sindikatat kundër reformave sociale. Ata kanë qenë të pranishëm kudo nëpër kanalet e lajmeve, por nuk kanë një zëdhënës të vërtetë. Kryeministri Édouard Philippe bëri thirrje për dialog dhe hapi dyert e tij, por nuk u paraqit askush.

Nuk është e lehtë të mësosh se çfarë duan vërtet ata. Jelekverdhët kanë ndryshuar dy herë tashmë. Kryengritja fillimisht u shkaktua nga lajmërimi i taksave shtesë të karburantit, me qëllim që të inkurajonte një reduktim të emetimeve të dioksidit të karbonit. Por, pasi qeveria anuloi rritjen e planifikuar të taksës, fokusi i protestës ndryshoi. Përsëri qeveria hapi rrugë. Presidenti Emmanuel Macron njoftoi më 10 dhjetor shfuqizimin e rritjes së taksave për pensionistët dhe një rritje të përfitimeve sociale që do të rrisin të ardhurat e njerëzve me pagë minimale prej 8.5%. Protestuesit u përgjigjën negativisht dhe theksuan kërkesat politike, përfshirë një hapësirë më të madhe për demokraci të drejtpërdrejtë, sidomos nëpërmjet referendumeve popullore.

Ajo që motivoi protestat fillestare është e qartë. Taksat e energjisë janë regresive: njerëzit me të ardhura të ulëta dhe të mesme shpenzojnë një pjesë të madhe të asaj që fitojnë për ngrohjen e shtëpive dhe furnizimin e makinave të tyre me karburant. Në dekadat e fundit, shumë familje të shtresës së mesme janë shpërngulur nëpër vende larg punës së tyre ku shtëpitë janë më të lira (Franca është amerikanizuar shumë në këtë drejtim). Ata e konsiderojnë taksën e karbonit si të padrejtë – të pasurit nuk i paguajnë ato në udhëtimet ajrore dhe hipsterat metropolitanë përfitojnë nga transporti publik i subvencionuar. Për t’i bërë ato të pranueshme, të ardhurat ose duhet të ishin përkushtuar për të mbështetur tranzicionin e gjelbër ose duhet të ishin rishpërndarë në mënyrë eksplicite në formën e reduktimit të taksave. Për arsye buxhetore, masat mbështetëse u limituan në 10% të pjesës së fundit të popullsisë. Njerëzit e gjendur në pjesën e sipërme u ndjenë menjëherë të neglizhuar dhe të shtrydhur. Ata bllokuan rreth rrotullimet në shenjë proteste.

Është më pak e thjeshtë të kuptohet pse kaq shumë njerëz të klasës së ulët dhe të mesme ndihen të paaftë për të fituar bukën e gojës. Ndërkohë që të ardhurat mesatare familjare kanë mbetur amulli në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani që nga fillimi i mijëvjeçarit, kjo nuk ndodhi në Francë. Pavarësisht krizës financiare, të ardhurat reale të familjeve u rritën me 8% nga viti 2007 deri në vitin 2017 – më shumë se në shumë vende të tjera europiane. Për më tepër, pati rishpërndarje të rëndësishme përgjatë shkallës së të ardhurave. Ndryshimet në taksa dhe transferta u hoqën 5% të të ardhurave 10 përqindëshit të sipërm dhe rritën me 5 % të ardhurat e 20 përqindëshit të poshtëm.

 

Një pjesë e shpjegimit është demografia: plakja dhe rritja e familjeve me një person ose me një prind beqar kanë rritur numrin e njësive të konsumit dhe kanë zvogëluar fuqinë e tyre individuale blerëse. Një pjesë është sociologjike: standardet e konsumit në klasë të mesme – telefonat celularë, darkat nëpër restorante dhe pushime në plazh – janë rritur në përputhje me të ardhurat e të kamurve dhe janë bërë tepër të vështira për t’u përballuar nga klasa e mesme. Një pjesë është gjeografike: që nga viti 2000, zonat metropolitane kanë ecur mjaft mirë, ndërsa qytetet më të vogla janë munduar shumë. Çmimet e shtëpive janë rritur në pjesën e parë, por janë ulur në qytetet e vogla, duke i bërë pronarët e tyre më të varfër. Nuk është habi që ka pasur më shumë jelekverdhë nëpër qytetet me nga 50,000 banorë sesa në Lion apo Tuluzë.

Problemi më i thellë është se njerëzit e klasës së mesme ndiejnë se kontrata shoqërore është prishur. Ata dikur besonin se rritja e niveleve të arsimit do të sillte punë më të mira, të ardhura më të larta, prosperitet më të madh dhe rritje sociale për fëmijët e tyre. Por rritja është bërë tepër e dobët për të gjeneruar rritje të ndjeshme në të ardhura, punët e klasës së mesme kërcënohen nga revolucioni dixhital dhe konkurrenca për qasje në shkollat më të mira duket gjithnjë e më e shtrembëruar që të përfitojnë njerëzit që tashmë ndodhen në krye. Një pesimizëm francez i rrënjosur thellë thjesht përforcon ankthin e tyre.

Macron kishte diagnozën e duhur. Ai foli për njerëz që shkarkoheshin nga puna dhe që provoheshin nga mundësitë. Ai donte të zhbllokonte rritjen, të nxiste lëvizjen dhe të promovonte barazinë në qasje. Ai saktë tha se me shpenzimet publike shumë më të larta sesa në vendet e tjera të përparuara, përgjigja nuk mund të ishte më shumë taksa dhe më shumë shpenzime sociale. Por ai e nënvlerësoi madhësinë e ndryshimit në perspektivën për të cilën ai po bënte thirrje dhe ai nuk arriti t’i përgjigjej kërkesës për drejtësi në hartimin e reformave. Veprimet e tij të para – uljen e taksave për të pasurit – bënë që ai të fitonte nofkën “presidenti i të pasurve”. Pa përmendur që këto taksa ndonjëherë kapnin të gjitha të ardhurat reale të kapitalit ose se, duke pasur parasysh kufizimet buxhetore,  ky vendim ishte ekonomikisht racional. Politikisht dhe shoqërisht, Macron u pa si një njeri që i shërbente të pasurve.

Si rezultat, një dëshirë për kryengritje tashmë ka zënë rrënjë në shoqërinë franceze. E majta dhe e djathta kanë ndihmuar paturpësisht jelekverdhët, pa ofruar përgjigje reale. Fituesi mund të jetë edhe Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen (ish-Fronti Kombëtar). Një alternativë tjetër do të ishte që jelekverdhët të përfundojnë duke krijuar një parti të tyren përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj. Por nuk është e qartë se çfarë do të përfaqësonte një parti e tillë. Të dhënat sugjerojnë se ndërsa lëvizja ka shoqërore dhe politike, aktivistët brenda saj janë më pranë të djathtës ekstreme dhe përfshijnë njëherazi tipa anti-semit dhe anti-myslimanë.

Njerëz nga i gjithë spektri politik kanë ndarë të njëjtin zemërim nëpër rreth rrotullime. Një segment i tërë i shoqërisë franceze që ndihej i pa përfaqësuar dhe pothuajse i padukshëm ka gjetur një ngjyrë dhe ka filluar të ndërtojë një identitet. Çështja tani është nëse lëvizja do të gjejë një zë politik dhe, nëse ndodh kështu, cili do të jetë ai. /Project Syndicate/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Opinion

A kemi krijuar një shoqëri shumë komplekse për të mbijetuar?

Shoqëritë njerëzore evoluan nga format e thjeshta, në ato komplekse gjatë mijëvjeçarëve, duke përjetuar ndryshime…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Mashtrimi me Sazanin – Nga Andi Bushati

Nga Andi Bushati Ka një përpjekje të qëllimshme për ta devijuar polemikën për investimin e…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Analiza/ Pse ka ngjallur kaq shumë debat lajmi për 1 miliard USD në Sazan? Skenarët konspirativë me Trump e Soros

Pse ka ngjallur kaq debat lajmi i fundit për 1 miliard investime amerikane në Shqipëri?…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

A është e vërtetë që Big Brother ndiqet kaq shumë në të gjithë botën, si në Shqipëri?

Nga Ergys Mërtiri A eshte e vertete qe Big Brother ndiqet po kaq shume ne…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Pse çunat duhet të dalin me çunat

Nga Blendi Salaj Ky është një shkrim për burrat e sotëm, për moshatarët e mi…

LEXO ME SHUME