Shënohen dhe rastet e para të abuzimit me çmimet duke përfituar nga situata emegjente e krijuar nga koronavirusi në Shqipëri.
Në Durrës, 2 pronare farmacish po procedohen penalisht pasi nga kontrollet ato nuk kanë lëshuar kupon tatimor si dhe kanë rritur çmimet e produkteve.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore Durrës, në zbatim të masave të përcaktuara në Planin e Masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve abuzive të tregtimit të medikamneteve me çmime të rritura fiktivisht, duke përfituar nga situata emergjente e COVID-19 që po kalon vendi, si dhe fshehjen e të ardhurave të përfituara nga abuzimi me çmimet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Medikamenti”, në kudër të të cilit u proceduan penalisht 2 shtetase, pronare të farmacive dhe konkretisht shtetaset, S. L., 32 vjeçe, banuese në Durrës dhe E. D., 40 vjeçe, banuese në Shijak, Durrës” – njoftojnë uniformat blu.
Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë në lagjen Nr. 13, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi dezinfektantësh për duart pa faturë tatimore, të cilët shiteshin me çmime abuzive, si dhe në farmacinë në lagjen Nr. 4, u konstatuan shitje pa kupon tatimor.
Autoritetet njoftojnë se kontrolle të tilla do të vijojnë në të gjithë qarkun për parandalimin e abuzimit me çmimet jo vetëm të medikamenteve, por të çdo produkti për konsum nga qytetarët.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

