Qeveria parashikon gjoba deri në 10 milionë lekë për pikat e tregëtimit të barnave apo ushqimeve, nëse refuzojnë të ofrojnë shërbime për qytetarët gjatë periudhës së “shtet-rrethimit”. Masa të ashpra parashikohen dhe në rastin e abuzimeve me çmimet, ku gjobat shkojnë deri në 5 milion lekë. Ndërkohë, shoferët dhe drejtuesit e mjeteve të paautorizuar që shkelin kushtetet e parashikuara nga akti normative, do t`u hiqet patenta për një periudhë trevjeçare. Që në krye të akti normativ, qeveria ka parashikuar masa për eksportuesit e barnave dhe pajisjeve mjekësore nga Shqipëria pa autorizim të posaçëm, me gjobë që shkon deri në 5 milionë lekë.
Eksportuesit e barnave dhe pajisjeve mjekësore:
1-Subjektet që eksportojnë barna dhe pajisje mjekësore nga Republika e Shqipërisë, pa autorizim të posaçëm të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për kryerjen e këtij aktiviteti, dënohen me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë dhe iu sekuestrohet e gjithë sasia e barnave/pajisjeve mjekësore. Në rast përsëritjeje, masave të mësipërme iu shtohet edhe ndalimi i eksportit të barnave/pajisjeve mjekësore, deri në 6 muaj.
Shoferët
2- Drejtuesit e automjeteve, të cilët nuk zbatojnë ndalimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, publik dhe privat, përfshirë automjetet private, në zonat dhe oraret e përcaktuara nga organet kompetente, dënohen me heqje të lejes së drejtimit për një periudhë trevjeçare dhe me bllokim të mjetit. Nga ky rregull përjashtohen personat e autorizuar nga organet kompetente.
Abuzuesit me çmimet e barnave dhe ushqimeve:
3- Rritja e çmimit të shitjes të të gjitha mallrave dhe produkteve ushqimore, barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve, në krahasim me çmimin e tyre në shitje të rregullt, të tregtuar në muajt paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, dhe për produktet sezonale, sipas çmimit të tregtuar në të njëjtën periudhë kohore në vitin paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, kur nuk vjen si pasojë e rritjes së çmimit nga importi i tyre, dënohet me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë për tregtuesit me shumicë dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë për tregtuesit me pakicë. Në rast përsëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e veprimtarisë për një periudhë 6-mujore.
Penalitete për mediat:
4- Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se dy persona në të njëjtën studio televizive dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast përsëritjeje iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent.
Mosofrimi i shërbimeve nga farmacitë:
5- Mosofrimi i shërbimeve nga farmacitë, tregtuesit me shumicë të barnave dhe prodhuesit e barnave, duke zbatuar kriteret e sigurisë të përcaktuara nga organet kompetente, dënohet me gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë për tregtuesit me shumicë dhe në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për tregtuesit me pakicë. Në rast përseritjeje me bllokimin e të gjithë sasisë së mallit dhe mbylljen e veprimtarisë për një periudhë trevjeçare.
Mosofrimi i shërbimeve për produkte ushqimore:
6- Mosofrimi i shërbimeve nga subjektet/individët që tregtojnë produkte ushqimore, me shumicë apo pakicë, duke zbatuar kriteret e sigurisë të përcaktuara nga organet kompetente, dënohet me gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë për tregtuesit me shumicë dhe në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për tregtuesit me pakicë. Në rast përsëritjeje me bllokimin e të gjithë sasisë së mallit dhe mbylljen e veprimtarisë për një periudhë trevjeçare.
Vënia në dispozicion e spitaleve private për kurimin e të sëmurëve:
7- .Në varësi të dinamikës së spitalizimit të të prekurve nga infeksioni COVID-19, me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, vendosen në dispozicion edhe strukturat private spitalore, ambulatore, hoteliere, autoambulancat dhe personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës.
Moszbatimi i këtij urdhri dënohet me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë dhe në rast përsëritjeje vendoset bllokimi i aktivitetit, duke e vendosur strukturën në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor gjatë gjithë kohëzgjatjes së infeksionit COVID-19. Në këtë rast, personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës, është i detyruar të shërbejë nën drejtimin e strukturave shëndetësore shtetërore. Moszbatimi i këtij detyrimi nga personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës, dënohet me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë dhe në rast përsëritje iu shtohet edhe heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit për një periudhë dhjetëvjeçare.
