Një vëzhgim i Vlora News në tregun e fruta-perimeve dëshmon një realitet të dhimbshëm: rritja e çmimeve ka kapërcyer çdo parashikim, duke prekur bulmetin, perimet dhe produktet bazë.
Nëse pak ditë më parë një kilogram domate kushtonte 200 lekë, sot qytetarët duhet të paguajnë deri në 400 lekë. E njëjta situatë paraqitet edhe te bulmeti, ku djathi tregtohet me 100-200 lekë më shumë për kilogram. Kjo krizë po godet më rëndë shtresat vulnerabël, veçanërisht pensionistët, të cilët mes ilaçevë dhe ushqimit, shpesh detyrohen të zgjedhin të parat.
“Nuk na del llogaria. Mora dy banane se nuk kam lekë më,” shprehet e përlotur një e moshuar, duke reflektuar pamundësinë e shumë bashkëqytetarëve tanë.
Në anën tjetër të tezgës, tregtarët po përballen me braktisjen. Për të mos “trembur” klientët, shumë prej tyre kanë hequr etiketat e çmimeve. Ata pranojnë se rritja, sidomos për produktet e importit, po i çon drejt mbylljes së aktivitetit. “Vijmë vërdallë e nuk shesim asgjë. Rinia ka ikur, pensionistët nuk kanë fuqi blerëse,” thotë një tregtar që sheh falimentimin dita-ditës.
Erand Haruni
