Arben Micko, gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, dha sot masat e sigurisë arrest me burg për 3 protestuesit e Unazës së Re, që u arrestuan nga policia dy ditët e fundit. Çuditërisht edhe sot, fatin për të firmosur masën e sigurisë për 3 protestues anti-Rilindje e pati i njëjti gjyqtar, që sipas opozitës është nipi i Shefqet Peçit.
Por kjo nuk është e vetmja lidhje me të majtën, pasi djali i gjyqtarit Micko, ka qenë kryetar i degës së FRESSH-it Tiranë, dhe më pas nënkryetar i FREESH-it. Ndoshta shorti përcakton që sa herë që ka masa sigurie ndaj protestuesve të jetë Arben Micko, i konsideruar si gjyqtari i partisë, i cili nuk toleron. Ashtu si edhe herët e tjera, Micko e ka të qartë vendimin: protestuesit të qëndrojnë në burg. Këtë ka vendosur ndaj çdo protestuesi që i është përgjigjur thirrjeve të opozitës apo qytetare për të protestuar ndaj Edi Ramës, qeverisë së tij dhe Rilindjes.
Të njëjtën gjë Micko bëri edhe sot. Ai ka hyrë në sallën e gjyqit, ku ndodheshin të arrestuarit, prokurori, avokatët, dhe pasi ka dëgjuar palët ka lexuar atë që thotë në raste të tilla: arrest me burg.
Kështu vendosi edhe kur policia ndaloi 50 qytetarë, nga të cilët 20 i çoi në burg, 11 i la në arrest shtëpie dhe 19 të tjerë me detyrim paraqitjeje. Çuditërisht në 50 personat e kapur mes 12-13 majit, gjyqtari nuk vlerësoi askënd që mund të lihej i lirë. Nuk mund të ndodhte, ata kishin protestuar kundër Edi Ramës. Është i njëjti gjyqtar që ka dënuar studentët që qëlluan me vezë ndaj Edi Ramës. i njëjti ka dënuar një tjetër të ri pse hodhi vezë ndaj Erjon Veliajt. Dhe aq stoik sa shfaqet ndaj protestuesve anti-Ramë, aq liberal duket në rastet kur përballë tij qëndrojnë Rilindas, të rinj dhe të vjetër. Është i njëjti gjyqtar që rrëzoi kërkesën e prokurorisë për dënimin e Shpëtim Gjikës me burg, ndërsa prokuroria kishte kërkuar 4 vjet heqje lirie, për shpërdorim detyre. Dhe çuditërisht i njëjti gjyqtar pranoi gjykimin e shkurtuar për Kostandin Xhuvanin, e akuzuar dhe dënuar për vrasjen e 4 personave. /Boldnews.al/
